AKTUALITET, 11 Gusht 2018, 21:17

Goditet nga rrufeja në Kuçovë, shpëton mrekullisht

Goditet nga rrufeja në Kuçovë, shpëton mrekullisht
Moti i keq me erë të fuqishme dhe shkarkesa elektrike ka mbizotëruar në Kuçovë pasditen e sotme, ku një burrë është goditur nga rrufeja.

Bilbil Asllani, 60 vjeç, banues në lagjen “Tafil Skendo” raportohet se ka qenë duke dalë nga një lokal kur është goditur nga shkarkesa elektrike, rreth orës 20:00.

Menjëherë ai është dërguar në spitalin e Beratit për të marrë ndihmën e parë mjekësore dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Rreth orës 20:00, është marrë njoftim se pranë një lokali në Kuçovë, një rrufe ka goditur shtetasin B.A, 60 vjeç, banues në lagjen Tafil Skëndo, Kuçovë. Për pasojë shtetasi i lartpërmendur ka marrë lëndime dhe është transportuar në Spitalin Rajonal Berat për ndihmën e nevojshme mjekësore, i cili për momentin ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi Policia.

Moti i keq në Kuçovë ka sjellë edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa lagje.