TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Shumë elozhe ndon jëherë mund të të marrin edhe mendtë, por Italia, ndonëse u ngrit në piedestal pas fitores në ndeshjen hapëse kundër Turqisë ku fitoi 3-0, u konfirmua madje edhe më fortë ndaj Zvicrës, duke triumfuar me të njëjtin rezultat dhe duke prerë e para biletën për në 1/8-at e “Euro 2020”.
Fakti që “Axurrët” e Roberto Mançinit po përjetojnë një moment fantastik ka bërë që edhe media gjermane, konkretisht e përditshmja prestigjioze “Bild” t’i kushtojë një hapësirë të konsiderueshme përfaqësueses italiane, nën titullin: “6 gjërat që Gjermania duhet të ndihet xheloze për ‘Axurrët’”. Në këtë thellim të bërë nga gazetarët dhe analistët e “Bild” krahasohen pikat e forta të skuadrës së Mançinit me ato që po u mungojnë dukshëm “Pancerave”, ndonëse deri pak vite më parë situatat ishin të ndryshme, duke kujtuar se në edicionin e kaluar, ishte pikërisht Gjermania ajo që eliminonte Italinë nga “Euro 2016”, në çerekfinale, pas goditjes së penalltive. Por, cilat janë 6 pikat që xhelozojnë gjermanët:
1) RINDËRTIMI – Pas mos marrjes pjesë në Botërorin “Rusi 2018”, kjo fatkeqësi tek Italia u përjetua si rasti i duhur për të shembur gjithçka kishte mbetur nga përfaqësuesja e mëparshme, pasi vetëm kështu mund të rindërtohej gjithçka e re dhe shumë herë më pozitive dhe solide, siç kanë treguar faktet deri tani. Ndërsa Gjermania ka mbetur ende tek e shkuara, ndoshta për më shumë kohë se ç’duhej dhe i vetmi ndryshim apo shpëtim u duk sikur ishin rikthimet në këtë Europian të Mylerit e Humelsit në skuadër, që mund të zgjidhnin gjithçka.
2) MANÇINI – Çelësi i rindërtimit nis me trajnerin e ri, Roberto Mançinin, një person që kishte akumuluar shumë eksperiencë mes Italisë dhe Europës, por mbi të gjitha një fytyrë tjetër, ndryshe nga ato së të kaluarës, për të rifituar besimin e skuadrës dhe tifozëve. Dhe rezultati fantastik duket, 29 rezultate pozitive radhazi dhe 10 ndeshje radhazi pa pësuar gol. Një për të gjithë, të gjithë për një.
3) MODULI FIKS – Perfekt rifillimi nga zero, ashtu sikurse trajneri me eksperiencë dhe larg çdo sfondi italian “puro”, por ideja për të punuar nga dita e parë e për tri vite me radhë me një modul fiks të vetën, duke përshtatur dhe këmbëngulur se, edhe çdo i ri që afrohej duhej të mësonte këto ingranazhe, jep dhe konfirmon ato fryte të lojës së bukur, spektakolare, por edhe sinkronizuese, që Italia ka shfaqur deri tani.
4) TË GJITHË NË SULM – Zotësia e Mançinit ishte të çmontonte çdo ide difensive që kishte në trashëgimi Italia. Kjo nuk do të thotë se reparti difensiv nuk është kuruar, përkundrazi është punuar fort duke ringritur murin e hekurt, siç thonë edhe numrat e 10 ndeshjeve të fundit. Por, ajo që mahnit është fakti se trioja sulmuese nuk mungon kurrë dhe Berardi-Imobile-Insinje janë një mrekulli. Tre futbollistë që jo vetëm kanë fantazi dhe shënjestër, por mbi të gjitha kompletojnë njëri-tjetrin pa asnjë shenjë egoizmi.
5) SKUADËR – Shpirti italian është rikthyer. Askush në këtë Itali nuk bën “VIP”-in, as trajneri Mançini madje. Yjet e shumëkërkuar të “Axurrëve” në Europë, janë punëtorë të devotshëm, të gjithë me kokën poshtë dhe çfarë është më e bukura, dalin të qeshur dhe motivojnë zëvendësuesin e tyre kur thirren në pankinë. Shpirt grupi!
6) NJË KOMB NJË SKUADËR – Me të gjitha ndryshimet e bëra, nevojitej edhe arma e fundit, populli i gjithi i mbështjellë rreth skuadrës. Më në fund, italianët kanë nisur ta duan Italinë, ta mbështesin, të shprehin besim dhe kanë larguar ligësinë. Në stadium të gjithë duartrokiten edhe kur gabojnë një pasim elementar, pasi vetëm duke qëndruar të bashkuar mund të arrihen objektiva të mëdhenj. Totalisht e kundërta e asaj çfarë po shijojnë dhe po ndodhë tashmë te Gjermania.