SPORT, 13 Maj 2021, 18:50

Fitore me “aromë” titulli për Teutën, Kastrioti në rënie të lirë!

Fitore me “aromë” titulli për Teutën, Kastrioti

Fitore me aromë titulli për Teutën. Skuadra bregdetare ruan kryesimin të paktën edhe për një javë, pasi mori tri pikë të rënda në transfertën me Kastriotin. Nga një gol për pjesë nga Lorenco Vila dhe i zakonshmi Bregu i mundësojnë Teutës fitoren 1-2 që e afron më shumë me titullin kur mbeten edhe 3 javë nga fundi, i pamjaftueshëm një gol spektakolar i Ermir Rezit për Kastriotin që rrezikon më shumë se kurrë rënien nga Kategoria.

Laçi bllokohet në shtëpi nga ekipi i Skënderbeut dhe tani veniten edhe ato fare pak shpresa që bardhezinjtë kishin për t’u kurorëzuar me titullin e parë në historinë e klubit. Një pikë e artë për bardhekuqtë, që ia dolën mbanë për të rrëmbyer një barazim pa gola brenda në Kurbin, sidoqoftë ekipi korcar duhet të falenderojë portierin Bekim Redjepi për pritjet e tij heroike.

Vllaznia rikthehet te fitorja në kampionat pas tri javësh dhe e bën këtë në mënyrën e saj me një fitore minimale 0-1 ndaj Bylisit në Ballsh në një ndeshje ku mallakastriotët kishin nevojë urgjente për pikë. Vendosi gjithçka një gol i Albion Avdijajt me Vllazninë që blindoi pozitat e saj në zonën europiane dhe zhyti akoma më shumë Bylisin në fund të tabelës së renditjes.