TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Më e bukura duhet ende të vijë. Gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, 1/8-at e Champions-it, sfidat direkte për titullin. E megjithatë, dy rrëshqitjet e fundit në transfertë kanë minuar sigurinë e Mauricio Sarrit në stolin e Juventusit. Nga Anglia, “The Sun” rinis idenë e Pep Guardiolës për të ardhmen, i cili në Torino do të kompletonte turin e pankinave pas Spanjës (te Barcelona), Gjermanisë (te Bajerni i Mynihut) dhe Anglisë (te Mançester Siti).
Dhe te kampionët e Italisë nuk do të vinte vetëm, por me dhurata. I pari mbetet i preferuari i tij, Lionel Mesi. Sipas programit “Chiringuito” në Spanjë, kapiteni i Barcelonës, i cili është në ditët e tij më pak të bukura në “Camp Nou” mund të vendosë të provojë një destinacion të ri, atje ku mund të gjejë rivalin e tij më të madh, Kristiano Ronaldo. Dhe kështu do të kompletohej ëndrra e shumë sportdashësve për t’i parë dy kampionët në një skuadër.
Pastaj janë edhe emrat e tjerë të formacionit që katalanasi do të rreshtonte në Torino: Shezni do vijojë të mbrojë portën. Munie (për momentin te PSG), Bonuçi, De Ligt, Aleks Sandro; Pjaniç dhe Bentankur përpara mbrojtjes, Dibala, Sane (Mançester Siti), Mesi (Barcelona) dhe Kristiano Ronaldo. Ta ripërkufizojmë: sezoni i bardhezinjve hyn në fazën e tij më të nxehtë, por fantazia kalon çdo kufi. Ndërsa duke u kthyer në realitet, Sarri duhet të tregojë se është një fitues në këtë moment të vështirë: në Kupën e Italisë, në Champions dhe në kampionat. Përndryshe këto zëra nuk do të jenë thjesht zëra të bujshëm.
BURIMI BRENDA KLUBIT
Por “The Sun” këmbëngul se Andrea Anjeli vazhdon ta ketë ëndërr afrimin e teknikut katalanas, i cili ka edhe një vit kontratë në “Etihad”. Pep është një nga ata emra që mund t’i garantojë hapin përfundimtar drejt Champions-it Juventusit, trofeut që i mungon prej vitit 1996. “Andrea nuk e ka fshehur kurrë interesin e tij për Pep Guardiolën. Ai do ta provojë sërish fatin e tij. Anjeli mendon se Guardiola do të vijë në Itali pasi të përfundojë aventurën e tij në Angli”, tregon një burim i brendshëm i klubit për “The Sun”.
“Problemi është nëse ky është momenti i së vërtetës, por ai do të bëjë gjithçka për ta bërë këtë realitet”, shtoi i njëjti burim. Dhe për ta bindur që 49- vjeçari të zgjedhë kampionët e Italisë, presidenti bardhezi është gati që t’i ofrojë atij një shifër historike. Anjeli tentoi ta transferonte Guardiolën gjatë verës për të zëvendësuar Masimiliano Alegrin, por ai nuk pranoi të lëvizte në “Etihad” dhe me shumë mundësi, nëse nuk do të ndodhë ndonjë e papritur, ka thënë se do të respektojë deri në fund kontratën me kampionët e Anglisë. Dhe në këtë mënyrë “Zonja” zgjodhi Mauricio Sarrin, emri i të cilit është vënë në dyshim pas rezultateve të fundit.