TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kompania Balfin me President Samir Mane, ka vendosur të ndihmojë një familje në nevojë pas transmetimit të një kronike në emisionin Fiks Fare. Një familje nga qyteti i Sarandës jeton në kushte të mjerueshme në banesën e tyre dhe për këtë kompania Balfin ka marrë përsipër rindërtimin e shtëpisë.
Deklarata e Grupit Balfin:
Një rast i përcjellë nga programi i gazetarisë investigative ”Fiks Fare” në televizionin Top Channel disa muaj më parë, tregonte rastin e familjes Lazo në qytetin e Sarandës. Zonja e kësaj shtëpie, Rozina Lazo, tregoi kushtet e mjerueshme në të cilat jetonin ajo dhe vajza e saj katër vjeçare e cila është me probleme shëndetësore.
Banesa e tyre në katin e katërt dhe të fundit të një pallati të ndërtuar para viteve ’90, është tërësisht e amortizuar dhe me ujin e lagështinë që hyjnë tërësisht brenda në shtëpi. Vetë kushtet shëndetësore të së miturës e bëjnë edhe më të vështirë përballimin e jetesës apo rregullimin e banesës. “U bë tre vite e gjysmë, tani bëjnë katër, që prej problemeve të vajzës, nuk kemi një ditë që të rrimë të qetë.
Lagështia në shtëpi është e madhe, gjatë një muaji mund ta çoj dy herë në urgjencë për problemet edhe me mushkëritë prej lagështisë”, - u shpreh e pikëlluar Rozina Lazo, me vogëlushen e saj që i fshinte lotët.
Po kjo histori e trishtë tashmë ka gjetur një rrugëzgjidhje. Në fakt, Grupi Balfin me nismë personale të Presidentit të Grupit, Samir Mane, ka marrë përsipër rindërtimin e plotë të shtëpisë. Kështu do të marrin fund edhe vuajtjet e familjes Lazo dhe jetesa e tyre mes rrënimit dhe lagështisë së shtëpisë së tyre të pajetueshme.
Grupi Balfin, nëpërmjet kompanive të tij të ndryshme, por edhe përmes nismave personale të presidentit Mane, ka kontribuuar rregullisht ndër vite për t’iu gjendur pranë komuniteteve dhe familjeve në nevojë në zonat ku operon. Grupi Balfin ka dhënë një ndihmë të madhe gjatë përballimit të vendit me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019, dhe gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, duke qenë një ndër kontribuesit kryesorë nga sektori i biznesit privat.