BOTA, 12 August 2026, 21:38

Eurovision ndryshon rregullat, vendet në luftë nuk mund të organizojnë konkursin e këngës

Eurovision ka ndryshuar rregullat e tij për organizimin e konkursit, duke përcaktuar se vendi fitues nuk do të mund të presë automatikisht edicionin e ardhshëm nëse një konflikt i armatosur apo një situatë e rëndë gjeopolitike kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e tij.

Sipas rregullores së re, transmetuesi i vendit fitues do të shpallet automatikisht i papërshtatshëm për të organizuar konkursin nëse në territorin e tij ose në rajonin përreth zhvillohet një konflikt apo ekziston një situatë që ndikon ndjeshëm në sigurinë e eventit.

Nëse e konsideron të nevojshme, Unioni Evropian i Transmetuesve (UER) mund të kërkojë një vlerësim të pavarur të situatës së sigurisë në vendin fitues.

Më pas, në konsultim me Komitetin Ekzekutiv të Eurovisionit, do të vendoset nëse shteti është në gjendje ta organizojë eventin në mënyrë të sigurt.

Edhe pse njoftimi nuk përmend asnjë shtet konkret, ndryshimi i rregullave vjen në një periudhë kur pjesëmarrja e Izraelit në Eurovision ka shkaktuar debate të shumta.

Izraeli përfundoi në vendin e dytë si në vitin 2025, ashtu edhe në vitin 2026.

Në edicionin e zhvilluar në Vjenë, Spanja, Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Islanda bojkotuan konkursin për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit dhe mënyrës së zhvillimit të luftës në Gaza.

Rregullat e reja parashikojnë gjithashtu se, nëse vendi fitues nuk konsiderohet i aftë për të garantuar sigurinë e eventit, UER do të zgjedhë një shtet tjetër pritës.

Ky shtet do ta organizojë konkursin në emër të vet dhe jo në emër të vendit fitues.

Një situatë e ngjashme është regjistruar edhe më parë. Ukraina organizoi Eurovisionin në Kiev në vitin 2017, ndërsa konflikti në lindje të vendit kishte nisur që në vitin 2014.

Por në vitin 2023, Ukraina nuk mundi ta organizonte konkursin, pavarësisht se kishte fituar në vitin 2022, për shkak të pushtimit rus. Eurovisioni u zhvillua në Liverpool të Britanisë së Madhe, në emër të Ukrainës.

Ndryshimi i ri synon të përcaktojë më qartë procedurën që do të ndiqet në raste kur siguria e një vendi fitues nuk lejon organizimin e konkursit në territorin e tij.