TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Roma me një këmbë në çerekfinale. Verdhekuqtë kanë zhvilluar një 90-minutësh perfekt ndaj ukrainasve të Shakhtar Donetsk dhe kanë arritur të triumfojnë me rezultatin e pastër 3-0, duke shndërruar në formalitet transfertën e Kievit.
Paulo Fonseca përballej me të shkuarën e tij, pasi drejtoi për 3 sezone klubin e Shakhtarit dhe në fund të takimit pati përshëndetje të përzemërta me ukrainasit. Roma zhbllokoi sfidën në pjesën e parë me anë të Lorenzo Pellegrinit dhe më pas në pjesën e dytë ishin Stefan El Shaarawy e Gianluca Mancini që kompletuan fitoren e thellë, ndërsa mbrojtja bëri detyrën duke mbajtur portën të paprekur.
Bënë mjaft mirë edhe klubet angleze, pasi Arsenali triumfoi me shifrat 1-3 në Athinë përballë Olympiacos, ndërsa Tottenham mposhti me rezultatin 2-0 kroatët e Dinamos së Zagrebit.
Odegaard, Gabriel dhe Elneny ishin autorët e golave të “topçinjve” në transfertën greke, ndërsa për “Spurs”-at shënoi dy herë kapiteni Harry Kane, duke e bërë edhe më të lehtë rrugën drejt çerekfinaleve.
Nuk pati surpriza as në sfidën mes Granadës dhe norvegjezëve të Moldes. Skuadra spanjolle vinte me mungesa të shumta, por ia doli të shënojë dy herë dhe të fitojë 2-0, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, që pritet të vuloset një javë më vonë në Norvegji.
Ishte cilësuar si një finale e parakohshme për vetë emrat e dy skuadrave, por Manchester United-Milan nuk rezultoi e tillë në 90-minutëshin e parë të zhvilluar në “Old Trafford”, që u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1.
Shumë mungesa nga të dy kampet, patën ndikimin e vet në fushë, teksa ndeshja ishte e luftuar, por nuk u ngjit asnjëherë në nivelin e pritshmërive dhe në fund çështja e kualifikimit u la e hapur për në sfidën e javës së ardhshme në “San Siro”.
Pjesa e parë u zhvillua nën një dominim të lehtë të vendasve, që kontrolluan topin në 60% të kohës, megjithatë rastet më të mira i krijoi Milani, që dërgoi edhe topin në rrjetë, por goli u anulua nga VAR për një marrje me dorë nga ana e Franck Kessie.
Pas pushimit, Solskjaer la në dhomat e zhveshjes Anthony Martial dhe hodhi në fushë 18-vjeçarin Diallo, që i shpëtoi mbulimit të Tomorit dhe mposhti Donnarummën me një parabolë të saktë me kokë.
Milani provoi të rikthejë baraspeshën dhe krijoi disa aksione të rrezikshme, por pa arritur të kërcënojë kuadratin e portës së “djajve të kuq”. Megjithatë kur dukej se gjithçka po shkonte drejt fitores së Manchesterit, ishte mbrojtësi danez Simon Kjaer që shënoi golin e barazimit.
Me rezultatin 1-1, kuqezinjtë janë më të avantazhuar për t’u kualifikuar në fazën çerekfinale të Europa League, megjithatë gjithçka është e hapur dhe do të vendoset të enjten e ardhshme në “San Siro”.
Prek çerekfinalet Ajaxi, që mposhti zviceranët e Young Boys me shifrat 3-0 që në ndeshjen e parë. Klassen, Tadiç dhe Brobbey shënuan për skuadrën nga Amsterdami në pjesën e dytë dhe tani ndeshja e kthimit pritet të jetë një formalitet për “harkëtarët”.
Rezultat mjaft pozitiv mori edhe Villareali, që triumfoi me shifrat 0-2 në transfertën ukrainase ndaj Dynamo Kiev. Torres në pjesën e parë dhe Raul Albio në minutën e 52-të shënuan për “nëndetësen” e verdhë spanjolle, që gjithashtu ka prekur çerekfinalet.
Sfida tjetër e zhvilluar ishte ajo mes Slavia Prague dhe Rangers, që gjithashtu u mbyll në barazimin 1-1. Vendasit shënuan me Stanciu, ndërsa skocezët barazuan me Helander, duke shtyrë çështjen e kualifikimit për në javën e ardhshme.