AKTUALITET, 17 Korrik 2020, 10:05

Eurodeputetët zbusin gjuhën, ribotohet deklarata e PE për “Zgjedhoren” dhe ndryshimet Kushtetuese

Eurodeputetët zbusin gjuhën, ribotohet deklarata e PE për


Me një gjuhë më të zbutur nga ajo e djeshmja, Parlamenti Europian ka publikuar një version të ri të deklaratës së tre eurodeputetëve David McAllister, Isabel Santos dhe Manolis Kefalogiannis ku i kërkojnë maxhorancës që të miratojë pa ndryshime marrëveshjen e 5 qershorit me argumentin se kjo do të ndihmonte në mbajtjen e konferencës së parë të negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE.

Tre eurodeputetët kërkojnë gjithashtu nga maxhoranca që të bëjë ndryshimet pa prekur thelbin marrëveshjes së 5 qershorit.

“Është e rëndësishme që të arrihet një marrëveshje që të mund të mundësojë dialogun mes partive politike në mënyrë që të mbahet konferenca e parë e negociatave për integrimin e vendit në BE”, shkruajnë në deklaratën e tyre tre eurodeputetët

Duke nënvizuar se çdo vënd ka të drejtën të përcaktojë vetë sistemin elektoral që do të përdorë sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit të brendshëm. Megjithatë, sipas eurodeputetëve, është e rendësishme që në këtë drejtim të aplikohen shembujt më të mirë ndërkombëtar dhe që ndryshimet të bëhen në mënyrë transparente dhe të fillojnë të paktën një vit para zgjedhjeve elektorale të planifikuara.

“Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë për të arritur rezultate thelbësore në drejtim të reformave që po ndërmerren”, shprehen eurodeputetët.