IDE, 25 Shkurt 2018, 12:30

Erdogan, mina pa siguresë që rrezikon shpërthimin

Erdogan, mina pa siguresë që rrezikon shpërthimin

Nga Lorenzo Vita

Rexhep Tayp Erdogan po e tregon veten çdo ditë e më tepër një minë pa siguresë në teatrin e Lindjes së Mesme. Shpërthyes, i paqëndrueshëm, tahmaqar dhe i dëshiruar të përhapë lidershipin e tij në rajon, ai poi jep krahë ëndrrës neotomane. Ëndër e cila rrezikon të kthehet në utopi. Sepse nëse ka një gjë që e ka vërtetuar kriza siriane, ky është konfirmimi që Erdogan është një takticien i shkëlqyer dhe strategjist i keq, pasi tashmë i duhet të ndeshet me një rrethim që ai vetë e ndërtoi.

Kronologjia e luftës siriane është dëshmi e falimentimit të planeve turke.

Erdogani ishte mik i Asadit, por një ditë të bukur e lëshon mikun e tij me pretekstin se duhet të respektonte dëshirën popullore dhe lëshonte pushtetin. Zjarrit i fryjnë edhe fuqi të tjera të cilat ishin të interesuara për rënien e Damaskut. Në fazën e parë, Erdogan ndihmon milicitë rebele dhe islamike në shumë fusha të Sirisë veriore, veçanërisht në Idlib, dhe i le shteti islamik të përdor të ashtuquajturat “autostrada e xhihadit” për të sjellë rekrutë dhe kontrabanduar naftë dhe mallra të tjera në Siri. Me mbështetje për islamistët dhe dritën e gjelbër për ISIS, Erdogan shpreson të heqë qafe dy armiq: Sirinë dhe kurdët. Llogaritjet ishin krejtësisht të gabuara. Dhe Afrin mund të jetë prova e fundit në rradhën e provave për gabimet e tij.

Gjërat fillojnë të ndryshojnë kur Rusia ndërhyn në Siri dhe, së bashku me Iranin, e bën Turqinë të kuptojë se nuk mund të lejojë më të veprojë pa u penguar. Shkatërrimi i Su-24 në qiellin sirian nga dy F-16 turq, së bashku me grushtin e dështuar të verës së vitit 2016, janë ngjarje që reflektohen edhe në Siri. Erdogan ndryshon qëndrim dhe, martohet me vijën e propozuar nga Rohani dhe Putin dhe fillon të largohet nga Shtetet e Bashkuara, fajtor, sipas tij, që kanë mbështetur kurdët në Siri dhe Irak dhe qëndruan pasiv gjatë tentativës për grusht shteti. Erdogan fillon aderimin në bllokun e Astana dhe ndryshim gradual të qëndrimeve në Lindjen e Mesme. Blen sistemet ruse anti-ajrore (pavarësisht anëtarësimit në NATO) dhe bën marrëveshjet ekonomike me Iranin për naftë në Kurdistan.

Por nuk ka qenë vetëm Siria fushë për të lëvizur synimet e sulltanit. Gjatë viteve, dëshira e Turqisë për të dalë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe në çdo sektor që është me interes për zgjerimin e ndikimit të Ankarasë po rritet gjithnjë e më shumë. Mbështet Katarin kundër bllokadës të imponuar nga Arabia Saudite dhe dërgon ushtrinë për të mbrojtur Dohën, por nuk ndikon fare në pozicionin saudit. Atëherë ishte radha e çështjes palestineze, ku Erdogan iu drejtua gjithë botës myslimane si një politikan sesa lideri fetar, duke bërë thirrje për bashkimin e kombeve me shumicë muslimane kundër Izraelit dhe zgjedhjen e Trump për të lëvizur ambasadën në Jeruzalem . Por edhe në këtë rast, fjalët e zjarrit të Erdoganit u ftohën atëherë kur kërcënimet për një ndërprerje të marrëdhënieve ekonomike i erdhën nga Tel Avivi dhe Uashingtoni.

Tani le të shohim se çfarë ndodh në Mesdheun Lindor. Me çështjen Saipem 12000, presidenti turk iu ka treguar të gjithë se dëshiron të konkurrojë në ndeshjen e madhe të gazit levant. Çështja e Qipros turke është vetëm një pretekst: Erdogan nuk synon parimet, por gazin, pasi shtrati detar qipriot është provuar të jetë i pasur me gaz. Bllokimi i anijes kërkuese të Eni-t italian tregon se Ankaraja dëshiron të hyjë në lojë për shfrytëzimin e fushave në det të hapur. Një lojë e rrezikshme, ku është duke u përplasur me fuqitë që janë të interesuara për shfrytëzimin e këtyre zonave. Dhe ku Erdogan është i izoluar nga të gjithë, sepse askush nuk dëshiron dhe as nuk mund ta mbështesë unilateralizmin e sulltanit.

Izolimi: ky është problemi i Erdoganit tani. Udhëheqësi turk ka kërkuar gjatë viteve të lirohesh nga aleanca (të tilla si NATO), apo marrëdhëniet miqësore me Bashkimin Evropian, me të cilin pavarësisht debateve vazhdon të bëjë biznes. Ai liroi veten edhe nga aleancat në rajon me udhëheqësit e të cilit dëshiron të sillet si lider dhe jo si homolog.

Por çfarë ka arritur deri tani Erdogan? Shumë pak. Siria, siç është shkruar nga Alberto Negri, rrezikon të kthehet në Vietnamin e Turqisë. Për Qipron, ai gjeti të gjitha fuqitë të interesuara për gazin nga Rusia tek Shtetet e Bashkuara përfshirë edhe gjigandët privatë të hidrokarbureve, të cilët janë të bashkuar kundër tij. Shtetet e Bashkuara, të cilat e kanë toleruar atë prej vitesh, tani mendojnë se duhet t’i japin një mësim dhe mund ta shkarkojnë atë duke u dhënë kurdëve Assadin. Në gjithë këtë, Putini shikon Erdoganin si një partner të dobishëm, por ai nuk i harron armiqësitë me të dhe ambiciet e tij hegjemoniste.

Si përfundim në këtë rrotullim të vazhdueshëm të tij, është e lehtë të kuptosh motivin e izolimit të tij: pabesueshmëria totale. Erdogan ka qenë dhe vazhdon të jetë një partner i nevojshëm për perëndimin por jo i pazëvendësueshëm. Edhe nëse më përpara ishte i nevojshëm, tani nuk është për asnjë, për shkak të pazotësisë për të mbajtur kombin në koherencë dhe paaftësisë së tij strategjike në politikën e jashtme.

Ambiciet neootomane të Erdogan janë vetëm një ëndërr, pa një fuqi të madhe pas shpatullave që ta mbështesë. Dhe pa një fuqi pas vetes, ëndra mund të përfundojë në dy mënyra për Erdoganin: ose të zgjohet ose të kthehet në një makth./dritare.net