AKTUALITET, 23 Nëntor 2020, 01:21

Edi Rama publikon pa leje fotografitë e fëmijëve të Arlind Qorit


Kryeministri Edi Rama, ka publikuar në rrjetet sociale, një status ku i bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë më shumë kohë në shtëpi, në mënyrë që të kujdesen për shëndetin. Këtë postim, kryeministri e shoqëron me një fotografi ku shfaqen dy fëmijë të vegjël.

Mirëpo, këtë fotografi, Rama e ka postuar pa leje dhe bëhet fjalë për dy fëmijët e pedagogut dhe aktivistit, Arlind Qori.

Qori shprehet se nuk ka dashur as vetë të publikojë në rrjetet sociale fotografitë e fëmijëve të tij, për të ruajtur privatësinë, por thotë se këtë e ka bërë sot për propagandë "njeriu që nuk ndalet përpara asgjëje".

"Për të ruajtur njëfarë privatësie dhe për të mos hedhur grepin e lehtë të gjuajtjes së pëlqimeve në rrjetet sociale, deri më sot nuk kam postuar asnjë foto të fëmijëve të mi. Po ç’të shoh?! Sonte – pa kërkuar leje dhe pa grimë etike – imazhin e tyre e ka përdorur për propagandë ai që nuk ndalet përpara asgjëje.

Amla dhe Blini, si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre, janë fëmijë të bukur. Por nuk është më e tillë Shqipëria që Edi Rama dhe sëra e tij e kanë përçudnuar si mos më keq", shkruan Qori.

Më poshtë postimi i Edi Ramës.

/TPZ.al/

Shënim: Fytyrat e fëmijëve janë mbuluar nga redaksia, ndërsa kryeministri i ka botuar pa asnjë filtër.