TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Edmond Tupja
I kam admiruar hardhucat, veçanërisht gjatë paraadoleshencës, sepse kur arrija të kapja ndonjërën syresh, ato, në shumicën e rasteve, më linin në dorë bishtin e tyre, me siguri për të shpëtuar kokën; më vonë admirimi im për to erdhi e u shtua ndjeshëm kur mësova se, brenda një kohe të caktuar, atyre u dilte e u rritej sërish bishti; në moshë të rritur– asokohe sapo kisha mbaruar studimet e larta më rastisi të dëgjova në radio se një ekip mjekësh të huaj po e studionin këtë dukuri tipike për hardhucat me qëllim që shkenca mjekësore t’u krijonte mundësinë njerëzve, të cilët kishin humbur aksidentalisht ndonjë gisht të duarve apo edhe të këmbëve, ta shihnin përsëri veten me gishta të shëndetshëm e gjenetikisht të njëjtë pa qenë nevoja për ndërhyrje kirurgjikale.
Ç’është e vërteta, prej gati gjysmëshekulli, nuk më kishte shkuar mendja tek ato, por para ca kohësh m’i kujtoi zoti Kryeministër! Po, po, zoti Kryeministër dora vetë! Tek e shihja, sidomos këto dy-tri vitet e fundit, të rrethuar nga vartës të tipit oborrtarë, që i mbanin, i krihnin, i fërkonin, i lanin e i lëpinin bishtin duke e lajkatuar, tek e shihja t’i mbronte këta nga akuzat e pakundërshtueshme të opozitës, nuk u habita kur – ashtu si hardhuca që nuk e lë kollaj bishtin e saj, por që, kur e sheh veten në rrezik, e lë t’ia marrë lumi, sigurisht për të shpëtuar kokën e saj, po e përsëris – e pashë të sakrifikonte vartës të tillë si ministrat Tahiri e Xhafa, kryebashkiakë të djeshëm, si ai i Durrësit, ose të sotëm, si ai i Shkodrës.
Me këtë rast, m’u kujtua se ekziston një lloj hardhuce helmatisëse, e vetme në llojin e saj, me emrin “heloderma e Gilës”, e cila jeton në shkretëtira dhe mund të rrijë me muaj pa ngrënë ngaqë ushqimin e grumbullon pikërisht te bishti; m’u kujtua gjithashtu se, për shkak të largimit masiv të bashkatdhetarëve të mi, Shqipëria e shkretë rrezikon të ndërrojë pjesërisht emër për t’u quajtur, në një ditë jo të largët, Shqipshkretirë.
Nga ana tjetër, ngjashmëria e madhe e hardhucave, si formë, me krokodilët, të cilët, nga gjithë këndvështrimet e tjera, janë krejt të ndryshëm prej atyre (si gjatësi, peshë e babëzi, por kryesisht si rrezikshmëri për njerëzit dhe mjedisin e tyre), më kujtoi filmin e famshëm “Jurassic Park”, të cilit i bëri jehonë më 23 gusht te kjo gazetë analisti Fatos Lubonja në një shkrim të përsosur me titull “Parku i dinozaurëve”, ku ai zbërthen mjeshtërisht politikën e sotme shqiptare me dinozaurët dhe tiranozaurët e saj të quajtur oligarkë, narkotrafikantë, kryemafiozë, kriminelë të niveleve të ndryshme, të gjithë aq të babëzitur e të pamëshirshëm me viktimat e tyre, saqë edhe vetë krokodilët do t’i kishin fort zili.
Krokodilët e këtij lloji, pra, nuk gëlojnë buzë lumenjve e deteve, por rreth e qark nesh, gjatësia dhe pesha e tyre nuk maten me metra e kilogramë, ndërsa babëzia dhe pasuria e tyre, po, pa asnjë dyshim, kanë për njësi matëse kilometrat dhe tonelatat. Aktualisht, në gjendjen e mjerueshme, në të cilën e sheh veten të zhytur Republika rreckamane e Shqipërisë, ku krokodilët e të gjitha llojeve – aligatorë, kaimanë, gavialë e krokodilë deti – bashkëjetojnë nën hijen e një qeverie kukull, anemike e qesharake, duket qartë se kryeministri ynë perandorak, me cinizmin më të madh, sillet sipas qejfit dhe pandëshkueshmërisht duke ndjekur djallëzisht një taktikë të dyfishtë: edhe atë të hardhucës, edhe atë të krokodilit, teksa nuk rresht së shfrytëzuar mjeshtërisht trashëgiminë feudototalitare të regjimit enverist. /Panorama/