AKTUALITET, 5 Nëntor 2019, 21:15

E pabesueshme! Sllavia e Olajinkës ndal Barcelonën në “Camp Nou”

E pabesueshme! Sllavia e Olajinkës ndal Barcelonën në “Camp

Vërshëllima e trefishtë e Majkëll Oliverit, gjyqtarit anglez që arbitroi Barcelona-Sllavia Praga, u shoqëria me mijëra vërshëllima të publikut në “Camp Nou”, të cilët nuk mund t’u besonin syve kur shikonin atë rezultatin e thatë në tabelën elektronike të stadiumit. 0-0 ndaj kampionëve çekë në Champions League, që zhvilluan një lojë mjaft të mirë përballë superfuqisë spanjolle.

Një 0-0 që u ka lënë shije të hidhur të gjithëve pasi është e papranueshme për një ekip si Barcelona që të marrë një pikë në shtëpi ndaj një rivali modest dhe të vërë në diskutim vendin e parë në grup. Por Sllavia e Pitër Olajinkës tregohet një rival dinjitoz, arrin të përballojë mjaft mirë një Barcelonë të pafrymëzuar dhe merr pikën e dytë në grup pas asaj të marrë në “San Siro”, ku fitorja i iku nga duart vetëm në sekondat e fundit të takimit.

Tashmë Barcelona ngjitet në kuotën e tetë pikëve në pritje të sfidës Borusia-Inter, me dy ekipet që kanë nga katër pikë, ndërsa Sllavia mban vendin e fundit me dy pikë.