AKTUALITET, 7 Prill 2019, 22:14

E çuditshme! Fiorentina i hap luftë Shqipërisë për trajnerin e ri

E çuditshme! Fiorentina i hap luftë Shqipërisë për

E çuditshme por e vërtetë! Një nga klubet më të njohura të Serisë A, Fiorentina, i ka shpallur luftë Shqipërisë sa i përket emri të trajnerit të ri që do të emërojë në pankinë, pasi duket se ka piketuar të njëjtët trajnerë të cilët janë përfolur këto javë pranë pankinës kuqezi.

Humbja në shtëpi ndaj Frozinones me shifrat 0-1 ka tronditur pankinën e Stefano Piolit, shkarkimi i të cilit duket i sigurt. Klubi italian ka publikuar një komunikatë ku shprehet se në 48 orët e ardhme do të merret një vendim rreth të ardhmes së skuadrës. Por në Itali janë të sigurt se gjithsesi Pioli në fund të sezonit do të largohet dhe se klubi ka nisur kontaktet me pasardhësin e tij.

Emri i parë në listën e dëshirave të klubit të qytetit të Firences është Edi Reja, një nga kandidatët e parë të kontaktuar nga Armand Duka, i cili ishte i pranishëm edhe në Shkodër për ndeshjen me Turqinë. Trajneri italian kërkoi kohë për të menduar përgjigjen e tij, ndërsa Duka filloi të kontaktonte me të tjerë e në ditët e fundit ka qenë në Bolonja për të kontaktuar me Alberto Zakeronin.

Edhe pse ka një akord paraprak me këtë të fundit për të marrë drejtimin e përfaqësueses, pankina boshe e Fiorentinës ndryshon gjithçka pasi Zakeroni vështirë se do t’i thoshte jo një ofertë nga ky klub, i cili me sa duket po kontakton edhe me të, sipas mediave italiane.

Ndërkohë, emri i tretë është i një tjetër varianti për përfaqësuesen, por që është “djegur” shpejt nga Duka, Xhani De Biazi. Presidenti i FSHF-së duket se nuk dëshiron kthimin e trajnerit që dërgoi Shqipërinë në Europian e në rastin në fjalë, do të ishte shumë i lumtur që të përfundonte te Fiorentina e kjo e fundit të mos tundonte dy kandidatët e tjerë.