AKTUALITET, 2 Prill 2019, 21:54

Dëmtime dhe një barazim zhgënjyes, Milanin nuk e gëzon më as Piotek

Dëmtime dhe një barazim zhgënjyes, Milanin nuk e gëzon

Momenti vendimtar i sezonit gjen Milanin si mos më keq dhe jo vetëm për moralin përtokë pas rezultateve aspak bindëse në ndeshjet e fundit. Takimi i sotëm ndaj Udinezes ka parë kuqezinjtë të përballen me dy telashe jo të vogla, pasi kanë humbur për dëmtime titullarë të rëndësishëm që në pjesën e parë të sfidës.

Fillimisht ishte portieri Donaruma ai që u detyrua të ngrinte flamurin e bardhe dhe të kërkonte zëvendësim pas pak më shumë se 10 minutash lojë, duke i lënë vendin në fushë Pepe Reina, si pasojë e një problemi muskulor.

Ndërkohë, para fundit të pjesës së parë, kuqezinjtë e Gatuzos humbën edhe një tjetër protagonist, brazilianin Pakueta i cili ndrydhi kaviljen dhe ndonëse provoi të qëndronte në fushë, e kishte të pamundur që të vazhdonte takimin, duke i lënë vendin Kastijehos.

Në emergjencë të plotë, telashet e kuqezinjve i zgjidhi përkohësisht i zakonshmi Piotek, i cili i dha avantazhin në fund të pjesës së parë skuadrës së tij me një gol me kokë. Për fatin e keq të kuqezinjve, ata nuk arritën të ruanin avantazhin deri në fund të ndeshjes pasi në pjesën e dytë u ndëshkuan nga një kundërsulm i Lazanja, i cili dërgoi topin në portën e Reinas pasi mbrojtja u gjend plotësisht e papërgatitur.

Milani u përpoq me çdo formë që të gjente një tjetër gol, por nuk ia doli dhe në fund barazimi 1-1 i komplikon edhe më shumë qëndrimin në katërshen e parë, pasi u jep mundësinë ndjekësve që t’u afrohen më shumë kuqezinjve në luftën për vendin që të çon në Champions. /vipsport.al/

Milan-Udineze 1-1

45’ Piotek / 65′Lazanja