AKTUALITET, 10 Mars 2020, 12:36

“Deklaro pasurinë”, pas “Ben Qimes”, OFL i nis letër edhe xhaxhait të tij

“Deklaro pasurinë”, pas “Ben Qimes”, OFL i nis


Xhaxhai i “Ben Qimes” u arrestua në fillim të muajit dhjetor të vitit 2019. Pasi qëndroi disa ditë në paraburgim, Ahmet Isufaj, që kërkohej nga drejtësia kosovare për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal, u lirua duke iu ndryshuar masa e sigurisë.

Nga “Arrest me burg” me afat 40-ditor, Gjykata e Apelit të Vlorës vendosi masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, më 27 dhjetor të vitit të kaluar.

Shkak i këtij vendimi ishin disa raporte mjekësore, që tregonin se gjendja shëndetësore e Ahmet Isufajt nuk ishte e mirë dhe për pasojë, ai ishte shtruar në spitalin e burgut që nga dita e parë e arrestimit.

Nga ana tjetër, personi tjetër, të cilit OFL-ja i nisi formularin e vetëdeklarimit, Zaim Tafa, rezulton të jetë arrestuar në Shqipëri më 2 maj të vitit 2009.

Në atë kohë, nga ana e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda u finalizua me sukses operacioni i koduar “Kështjella”.

Policia njoftonte se pas dy muajsh hetime është arritur të sekuestrohet në Kakavijë 40 kg lëndë narkotike, e dyshuar heroinë dhe të arrestohen tre shtetasit gjermanë: Daniel E., Franz K. dhe Regina K, si dhe dy shtetas shqiptarë, Albert P. dhe Zaim Tafa. Dy shtetasit shqiptarë u arrestuan në Fier, ndërkohë që shtetasi gjerman Daniel E. është arrestuar në Rinas në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria.

Dy vite me vonë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi lirimin e Tafës, me arsyetimin se nuk vërtetohej ta kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Ndërsa personat e tjerë që u arrestuan bashkë me të gjatë operacionit u dënuan nga 11 deri në 13 vjet heqje lirie.