TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Dorëheqja e ish kreut të SHISH, Visho Ajazi, pak ditë më parë, ishte një ngjarje që surprizoi thuajse të gjithë aktorët politik në vend dhe jo vetëm. Duke qenë se kjo dorëheqje erdhi në një situatë të nxehtë politike, kur sapo kishte shpërthyer skandali Tahiri, aludimet për arsyet e dorëheqjes qenë të shumta.
Fill pas dorëheqjes së Ajazit, shigjetat u lëshuan mbi kryeministrin Rama, si njeriu që mund t’I kishte bërë presion Ajazit, për shkak të raporteve që ky i fundit ka përpiluar për situatën e drogës në vend dhe për bandat e lidhura me anëtarët e kabinetit të tij. Vetë kryetari i opozitës, në një errësirë të plotë për arsyet e largimit të Visho Ajazit, aludoi se ndaj tij mund të kishte patur presione që vinin nga Rama.
Të shumtë qenë ata që i mëshuan idesë se Ajazi po largohej për shkak të besnikërisë që kishte shfaqur ndaj ish kryeministrit Berisha, se ishte raporti me Berishën dhe informacionet që ai merrte nga zyrat e SHISH, arsyeja përse Rama po hakmerrej dhe po kërkonte largimin e kreut të SHISH.
Por asnjë prej këtyre hipotezave nuk rezultoi e vërtetë. Pak orë më parë, në media u përhap me shpejtësi lajmi se Visho Ajazi është propozuar për postin e ambasadorit të Shqipërisë në NATO, nga kryeministri Edi Rama. Ky veprim i Ramës, tregon qartë se largimi i Ajazit nga drejtimi i SHISH, ka qenë jo vetëm me konsensus, por një pakt mes dy personave të cilët deri dje, publikisht njiheshin si “armiq” të njëri tjetrit. Propozimi i ditës së sotme tregon se mes të dyve, ka patur më shumë mirëkuptim nga sa ishte menduar.
Por përtej pazarit dhe shit-blerjeve që ndodhin rëndom në vendin tonë dhe për të cilat nuk vlen më të habitemi, konvertimi i Ajazit në një diplomat duket i çuditshëm edhe për shkak të natyrës së punës së diplomatit.
Visho Ajazi, po merr sot një detyrë të pakuptimtë për ish kreun e një asgjensie inteligjence. Ai do të jetë përfaqësuesi i shtetit Shqiptar, në një detyrë e cila nuk ngjan aspak me atë të “kryespiunit” të vendit. Ambasadorët që përfaqësojnë vendet e tyre në NATO, janë përgjithësisht diplomat karriere apo ish ushtarakë. Ata janë njërëz që përfaqësojnë interesat e shtetit, duke krijuar mardhënie besimi të ndërsjelltë me aleatët, detyrë kjo pak e vështirë për njërëzit që shumicën e kohës e kanë kaluar pas tastierave të kompjuterave dhe pajisjeve të përgjimit.
Po t’i hedhësh një sy karrierave të ish shefave të një prej agjensive më të rëndësishmë në botë, CIA-s, vëren se kur ata janë larguar nga detyra si drejtues të kesaj agjensie, kanë vazhduar karrierat e tyre si punonjës në agjensi të tjera inteligjence, apo kanë vazhduar jetët e tyre si akademikë. Rasti i Visho Ajazit, kur një “spiun profesionist” konvertohet në diplomat, është ndoshta një rast unik në botën e sotme diplomatike.
Për Edi Ramën, ky është një normalitet, pasi për të, emërime të tilla shihen përgjithësisht si lëvizje strategjike për të shtyrë ditët e pushtetit. Ndërsa për Visho Ajazin, vazhdon të jetë i pakuptimtë këmbimi i postit të kreut të SHISH me një emërim si ambasador në NATO. Hijet e paktit Rama-Ajazi do të mbeten të paqarta madje edhe vetë qytetari dixhital i ish kryeministrit Berisha, e ka të pamundur të na ndihmojë në këtë rast...
/TPZ.AL/