BOTA, 5 Gusht 2024, 18:54

Vdes në burgun rus pianisti dhe aktivisti kundër luftës

Vdes në burgun rus pianisti dhe aktivisti kundër luftës

Ka ndërruar jetë në burg pianisti rus Pavel Kushnir, i arrestuar për protestën kundër konfliktit në Ukrainë me disa ndërhyrje në YouTube, këtë e ka bërë të ditur nëna e tij, cituar nga gazeta Mediazona.

Sipas gruas, Irina Levina, autoritetet i thanë asaj se djali i saj Kushnir, i cili ishte 39 vjeç, vdiq për shkak të një greve urie dhe etje në një qendër paraburgimi në Birobizhan, në Lindjen e Largët Ruse.

Lajmi për vdekjen e tij nuk është konfirmuar zyrtarisht. Majin e kaluar, një kanal Telegram i konsideruar i afërt me forcat e sigurisë raportoi arrestimin e Kushnirit, pasi muzikanti kishte postuar katër mesazhe në kanalin e tij në YouTube kundër ndërhyrjes së armatosur ruse në Ukrainë.

Sipas të njëjtit burim, akuza ndaj tij ishte për nxitje të aktiviteteve terroriste. “Mediazona” shkruan se mesazhi i fundit i postuar nga Kushnir ishte një fjalim “kundër homofobisë shtetërore, kundër fashizmit dhe luftës”.

Kushnir, i cili u rrit në qytetin e Tambovit, 400 kilometra në juglindje të Moskës, u diplomua në Konservatorin Chaikovsky të kryeqytetit dhe luajti në Filarmoninë e Rajonit Kursk për shtatë vjet. Më pas ai ishte anëtar i Filarmonisë Kurgan për tre vjet. Që nga viti 2023 luante në Filarmoninë Rajonale të Birobizhan. Në vitin 2014 ai kishte shkruar një roman dhe po i përkushtohej edhe përkthimeve të letërsisë bashkëkohore.