BOTA, 26 Shtator 2025, 22:55

U ndje keq, por vazhdoi punën për t'iu shërbyer pacientëve, vdes doktoresha 38-vjeçare

U ndje keq, por vazhdoi punën për t'iu shërbyer

Ajo nuk i la kurrë vetëm pacientët e saj, as atëherë kur trupi i kërkonte të ndalej. Maddalena Carta, 38 vjeçe, mjeke e familjes në Dorgali, provinca e Nuoros Itali, u shua pasi pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa ishte ende në shërbim.

“Ishte e vetëdijshme për boshllëkun e madh që do të linte, ndaj nuk u ndal as kur u ndje keq. Vazhdonte të vizitonte pacientë, duke u kujdesur për mbi 1.800 të regjistruar dhe mbi 5 mijë banorë të mbetur pa mjek për shkak të mungesës së kolegëve”, shpjegojnë bashkëpunëtorët e saj.

Të mërkurën e kaluar, ndërsa vizitonte pacientët, u rrëzua papritur. U transportua urgjentisht në spitalin San Francesco të Nuoros dhe më pas me helikopter drejt Cagliarit. Por ishte tepër vonë: zemra e saj pushoi së rrahuri një ditë më vonë.

Federata e Mjekëve: Një vdekje në vendin e punës, e papranueshme
Reagimi i Federatës Kombëtare të Urdhrave të Mjekëve (Fnomceo) ishte i ashpër. Presidenti Filippo Anelli e quajti rastin “një vdekje në vendin e punës në kuptimin e plotë të fjalës”. Ai denoncoi kushtet e papërballueshme ku punojnë gjithnjë e më shumë mjekë, sidomos në zonat periferike, malore dhe rurale:
“Doktoresha mbeti e vetme të mbulonte një komunitet prej 5 mijë personash, edhe pse ishte e lodhur dhe e sëmurë. Ajo vuri shëndetin e pacientëve mbi të sajin, dhe kjo i kushtoi jetën. Shteti duhet të ndërhyjë: nuk mund të lejojmë më që ata që shërojnë të vdesin nga puna.”

Një sistem shëndetësor në kolaps
Rasti i Dorgalit nuk është i izoluar. Shumë territore në Itali kanë mbetur pa mjekë të familjes dhe pacientët janë pa kujdesin më elementar. Edhe në zonat periferike të qyteteve të mëdha, mungesa e stafit dhe rritja e kërkesës po i çon profesionistët drejt rraskapitjes. Sardegna është kthyer në shembull të këtij kolapsi.

Kryetari i bashkisë së Dorgalit shpalli ditë zie në nder të doktoreshës.
“Kjo tragjedi na detyron të reflektojmë mbi kushtet e punës së mjekëve tanë të familjes. Maddalena kishte mbi 1.800 pacientë në ngarkim, një barrë çnjerëzore. Por ajo nuk u tërhoq kurrë”, tha ai me dhimbje.