BOTA, 20 Gusht 2025, 17:59

Të paktën 3 të vrarë nga sulmet ruse në Kostiantynivka, Moska përpiqet të rrethojë një nyje strategjike në Donbas

Të paktën 3 të vrarë nga sulmet ruse në Kostiantynivka,

Të paktën tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi me artileri nga forcat ruse në qytetin lindor ukrainas të Kostiantynivkës, kanë bërë të ditur autoritetet lokale. Sulmi vjen ndërsa trupat ruse po përparojnë për të rrethuar këtë nyje strategjike në rajonin industrial të Donbasit.

Guvernatori rajonal Vadim Fylashkin tha se në sulm u përdorën tetë raketa të lëshuara nga një sistem i shumëfishtë lëshues, të cilat goditën tregun lokal. Katër persona të tjerë mbetën të plagosur.

Fylashkin u bëri thirrje banorëve të evakuohen nga qyteti, i cili po përballet me sulme të intensifikuara, teksa forcat ruse po afrohen nga tre drejtime të ndryshme.

Vetëm të martën, ai raportoi se forcat ruse kishin hedhur 10 bomba të drejtuara mbi Kostiantynivka-n, e cila ka shërbyer prej kohësh si një nyje logjistike kyçe për trupat ukrainase që mbrojnë një pjesë kritike të vijës së frontit.

“Rusët po godasin qëllimisht për të vrarë dhe plagosur sa më shumë civilë,” deklaroi Fylashkin.

Rusia, nga ana tjetër, mohon se sulmet e saj kanë në shënjestër civilët, ndonëse mijëra janë vrarë që prej nisjes së pushtimit të plotë në shkurt të vitit 2022.

Luftimet e ashpra po zhvillohen aktualisht në pjesën më të madhe të rajonit të Donbasit, ndërkohë që Kremlini thuhet se ka propozuar tërheqjen e forcave ukrainase nga rajoni si pjesë e një marrëveshjeje paqeje – një propozim që Kievi e ka refuzuar kategorikisht.