TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë dyshojnë se dy gazetarë të New York Times, Maggie Haberman dhe Jonathan Swan, kanë siguruar regjistrime ose informacione të detajuara nga mbledhje konfidenciale të Dhomës së Situatave (Situation Room), të cilat janë përdorur në librin e tyre të ri “Regime Change” (“Ndryshimi i Regjimit”).
Libri, që trajton me detaje prapaskenat e mandatit të dytë të presidentit Donald Trump, është bazuar në më shumë se 1.000 intervista dhe pritet të dalë në qarkullim më 23 qershor.
Sipas fragmenteve të publikuara nga New York Times, autorët përshkruajnë me saktësi disa mbledhje të nivelit të lartë lidhur me luftën ndaj Iranit dhe dosjet e Jeffrey Epstein.
Sipas medias amerikane Axios, nëse vërtetohet se bisedat e zhvilluara në Dhomën e Situatave janë regjistruar dhe kanë rrjedhur jashtë, bëhet fjalë për një shkelje shumë serioze të sigurisë në një nga ambientet më të mbrojtura dhe më të sigurta në botë.
Në këtë hapësirë ndalohet përdorimi i pajisjeve personale të regjistrimit. Megjithatë, një burim nga administrata amerikane tha për Axios se ekziston shqetësimi se disa nga diskutimet më sensitive mund të jenë regjistruar pa dijeninë e zyrtarëve.
“Ne kemi frikë se disa nga bisedat tona më të ndjeshme janë regjistruar dhe nuk e dimë saktësisht cilat prej tyre”, citohet të ketë thënë burimi.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk kanë kundërshtuar autenticitetin e dialogëve të publikuar. Në mesin e tyre përfshihet edhe një deklaratë e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me skenarët e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për ndryshim regjimi në Iran.
Raporti shton se edhe vetë presidenti Trump është i zemëruar për nivelin e detajeve që përmban libri dhe përshkrimet e diskutimeve të brendshme të administratës.
Libri “Regime Change” do të publikohet zyrtarisht më 23 qershor.