BOTA, 31 Gusht 2025, 22:11

Samiti i sigurisë në Kinë, Putin i flet presidentit kinez për takimin me Trump në Alaska

Samiti i sigurisë në Kinë, Putin i flet presidentit kinez

Një Samit sigurie në Kinë bën bashkë për dy ditë radhazi, rreth 20 udhëheqës botërorë, përfshirë ata nga Kina, Rusia, India dhe vende të tjera, në atë që po shihen si përpjekje për të kundërshtuar ndikimin Perëndimor në çështjet globale.

Presidenti rus mbërriti në qytetin portual kinez Tianjin. Për vizitën e rrallë katër-ditore në fqinjin dhe partnerin më të madh tregtar të Rusisë, Putin u prit nga zyrtarë të lartë, teksa iu shtrua edhe tapeti i kuq.

Lidhjet midis Kinës dhe Rusisë janë në "më të mirën" e tyre në histori, duke u bërë "më të qëndrueshmet, më të pjekurat dhe më të rëndësishmet strategjikisht midis vendeve të mëdha", tha transmetuesi shtetëror kinez CCTV në raportin e tij për mbërritjen.

Putin, në margjinat të samitit të Tianjin, ka diskutuar me liderin kinez rezultatet e samitit në Alaska me presidentin amerikan Donald Trump, deklaron Yury Ushakov, këshilltar i presidentit rus, siç raporton Tass.

"Zgjedhja e duhur" është që Kina dhe India të bëhen miq, jo rivalë. Kështu i tha Presidenti kinez Xi Jinping homologut të tij indian Narendra Modi - takimi i tyre i parë në shtatë vjet. 

Ky është takimi më i madh që nga themelimi i grupit në vitin 2001 midis gjashtë vendeve euroaziatike.

Blloku i fokusuar në siguri është zgjeruar në 10 anëtarë të përhershëm dhe 16 vende dialogu dhe vëzhguese në vitet e fundit. Fusha e tij e veprimit është zgjeruar nga siguria dhe lufta kundër terrorizmit në bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak.

Pritet që Xi ta përdorë samitin për të treguar se si do të dukej një rend ndërkombëtar i udhëhequr nga Amerika, ndërkohë që do të ofrojë një nxitje diplomatike të profilit të lartë për Rusinë, e goditur nga sanksionet për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Vetëm pak para vizitës së tij, Putin kritikoi ashpër sanksionet perëndimore në një intervistë me agjencinë zyrtare të lajmeve Xinhua të Kinës, duke thënë se Moska dhe Pekini kundërshtuan së bashku sanksionet "diskriminuese" në tregtinë globale.

“Militarizmi japonez po ringjallet nën maskën e kërcënimeve imagjinare ruse ose kineze, ndërsa në Europë, përfshirë Gjermaninë, po ndërmerren hapa drejt rimilitarizimit të kontinentit, duke mos marrë parasysh paralelet historike”, tha më tej ai.

Ekonomia e Rusisë është në prag të recesionit, e rënduar nga kufizimet tregtare dhe kostoja e luftës.