BOTA, 28 Maj 2026, 19:03

Portugalia po ‘digjet’ nga i nxehti, temperaturat kalojnë mbi 40 gradë që në muajin maj!

Portugalia po ‘digjet’ nga i nxehti, temperaturat kalojnë mbi

Portugalia vendosi një rekord të ri të nxehtësisë për muajin maj, me temperaturën maksimale prej 40.3 gradë Celsius, e cila u regjistrua dje, të mërkurën, në Mora, në pjesën qendrore të vendit.

Lajmin e njoftoi sot (28 maj) Shërbimi Meteorologjik Portugez, duke sqaruar se rekordi i mëparshëm prej 40 gradë Celsius ishte në maj të vitit 2001.

Vendi i Gadishullit Iberik po goditet gjithashtu nga një valë e hershme e nxehtësisë, me të cilën po përballet një pjesë e madhe e Evropës, ku temperatura të rritura në nivele anormale janë vërejtur që nga fillimi i javës, veçanërisht në Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Itali.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Portugez, vendi ka përjetuar një valë të nxehti që nga 20 maji, e cila ka një “probabilitet shumë të lartë” të vazhdojë deri në fillim të qershorit.

“Vala aktuale e të nxehtit mund të jetë më e gjata dhe më intensive për muajin maj”, paralajmëroi Instituti Portugez për Detin dhe Atmosferën (IPMA) në një njoftim për shtyp.

Pjesa më e madhe e territorit portugez u vu në “alarm të verdhë” dje dhe sot, për shkak të këtij episodi të nxehtësisë së vazhdueshme, i cili rezultoi në një rritje të shtrimeve në spital, sipas Ministres së Shëndetësisë Ana Paula Martins.