BOTA, 23 Tetor 2022, 17:25

Politika e "çmendur" britanike/ Kryeministri i ri mund të zgjidhet që nesër, i treti brenda tre muajve!

Politika e "çmendur" britanike/ Kryeministri i ri mund të

Mbretëria e Bashkuar do të ketë kryeministrin e tretë brenda tre muajve, pas dorëheqjes së Liz Truss, e zgjedhur nga anëtarët e Partisë Konservatore. 

Kryeministri i ri mund të zgjidhet që ditën e nesërme (e hënë), në varësi të kandidatëve dhe procedurës. 

Fillimisht do të evidentohen kandidatët, të cilët kanë mbështetjen e të paktën 100 deputetëve konservatorë. Deri tani, ish Kancelari i Thesarit, Rishi Sunak ka konfirmuar hyrjen në garë dhe ka marrë mbështetjen publike të 146 deputetëve, nga 357 deputetë në total që ka partia.

Ish kryeministri Boris Johnson nuk do të hyjë në garë për të zëvendësuar Liz Truss. 
Ish kryeministri deklaron se ka arritur të sigurojë mbështetjen e 102 deputetëve, nga 100 që i duhen për të hyrë në garë, megjithatë ai thotë se garimi nuk do të ishte veprimi i duhur dhe se vendi nuk mund të qeveriset në mënyrë efektive nëse partia nuk është e bashkuar.

Në garë ka shprehur interesin të hyjë edhe Penny Mordaunt, e cila ka mbështetje publike nga 24 deputetë. 

Në rast se i vetmi kandidat me mbi 100 vota është Rishi Sunak, atëherë ai do të bëhet që nesër lideri i ri i konservatorëve dhe kryeministër i vendit. 

Nëse ditën e nesërme do të paraqiten dy kandidatë me të paktën 100 vota, ata do të votohen online nga anëtarët e Partisë Konservatore. Procedura përfundon të premten, kur zgjidhet kryeministri i ri. 

Mbretëria e Bashkuar ka hyrë në një spirale krize politike dhe thirrjet brenda konservatorëve janë që të arrihet sa më parë zgjedhja e një lideri që do të sjellë stabilititet politik dhe ekonomik. 

Nga ana tjetër, kreu i opozitës, Keir Starmer, ka kërkuar zgjedhje të parakohshme.