BOTA, 8 Korrik 2026, 17:26

Përshkallëzimet e sulmeve, Macron: Bisedimet SHBA-Iran do të vazhdojnë

Përshkallëzimet e sulmeve, Macron: Bisedimet SHBA-Iran do të

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit do të vijojnë, pavarësisht përplasjeve të reja ushtarake të regjistruara gjatë orëve të fundit.

Pas samitit të NATO në Ankara, Macron u bëri thirrje palëve për qetësi dhe vetëpërmbajtje, duke theksuar nevojën për vazhdimin e dialogut.

“Bisedimet do të vazhdojnë. Duhet të ecim përpara me qetësi, vetëkontroll dhe durim”, u shpreh Macron para gazetarëve.

Sipas presidentit francez, tensionet e fundit nisën pas shkeljes së marrëveshjes nga ana e Iranit, e cila solli reagimin ushtarak amerikan.

“Pati një shkelje të kësaj marrëveshjeje me sulmet iraniane që çuan në përgjigjen amerikane. Besoj se iranianët gabuan që ndërmorën këto sulme, të cilat bien ndesh me atë që ata vetë kishin nënshkruar”, deklaroi Macron.

Gjatë konferencës, Macron komentoi edhe deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump ndaj aleatëve të NATO-s. Ai tha se nuk e ka dëgjuar Trumpin të ankohet për partnerët e tij gjatë diskutimeve private brenda aleancës.

Më herët, Trump e kishte cilësuar Spanjën si një “partner të tmerrshëm” dhe kishte përsëritur qëndrimin e tij për marrjen e kontrollit mbi Grenlandë.

Macron u shpreh se nuk beson se Shtetet e Bashkuara do të marrin ishullin arktik, duke theksuar se aleanca e NATO-s bazohet jo vetëm në solidaritetin mes vendeve anëtare, por edhe në respektimin e rregullave që pengojnë përplasjet mes aleatëve.

“Në aleancën tonë nuk ka vetëm rregulla solidariteti në rast se njëri prej nesh sulmohet, por edhe rregulla që sigurojnë që ne të mos sulmojmë njëri-tjetrin”, tha presidenti francez.