BOTA, 16 Gusht 2025, 01:21

Përfundon takimi në Alaskë/ Trump: Nuk ka marrëveshje, por kemi bërë progres! Putin: Të pres në Moskë!

Përfundon takimi në Alaskë/ Trump: Nuk ka marrëveshje, por

Ka përfunduar takimi mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë. Dy liderët dolën në një të ashtuquajtur konferencë shtypi, ku dhanë disa deklarata por nuk pranuan pyetje nga gazetarët. 

Donald Trump e quajti takimin "mjaft produktiv", megjithatë pranoi se nuk ka një marrëveshje për luftën në Ukrainë. Fjala "armëpushim" nuk u përmend fare, ndërkohë që duket se "tullmubacja" e paqes, e trumbetuar veçanërisht nga Trump, u shfry. 

Trump deklaroi se kanë rënë dakord për disa çështje, por jo për të gjitha edhe pse pikat ku nuk dakordësohen, i quajti "më pak të rëndësishme". Presidenti amerikan nuk dha asnjë detaj nga asnjëra prej këtyre pikave. 

Trump tha se do t’u telefonojë aleatëve të NATO-s dhe të tjerëve, përfshirë Zelenskyn e Ukrainës. Ai u shpreh se një marrëveshje, “në fund të fundit”, varet prej tyre dhe se ata do të duhet të bien dakord.

“Nuk ka marrëveshje, derisa të ketë marrëveshje,” deklaroi ai, duke shtuar se është bërë “përparim i madh", por sërish pa ndonjë detaj konkret. 

“Unë gjithmonë kam pasur një marrëdhënie fantastike me Presidentin Putin. Vladimir,” deklaroi Trump. Ai e quajti takimin e tyre “jashtëzakonisht produktiv". 

“Por ne kemi një shans shumë të mirë për përparim të mëtejshëm,” tha Trump. 

Nga ana tjetër, Vladimir Putin deklaroi se shpreson që ukrainasit dhe evropianët të zgjedhin “të mos hedhin shkopinj nën rrota” në procesin e paqes.

“Do të doja të falënderoja Trump për tonin e tij mirëdashës,” tha Putin, duke shtuar se “të dyja palët duhet të jenë të orientuara drejt rezultateve.”

“Trump qartësisht kujdeset për begatinë e vendit të tij. Por ai kupton se Rusia ka interesat e saj,” shtoi ai.

Në fund të konferencës, Putin e ftoi Trump në Moskë për takimin e ardhshëm, ndërsa Presidenti i SHBA-ve nuk dha një përgjigje, por tha se kjo kërkesë mund t'i hapë telashe.