BOTA, 15 Nëntor 2022, 15:24

Nis “hakmarrja” ruse për Khersonin, Kievi sulmohet me raketa

Nis “hakmarrja” ruse për Khersonin, Kievi sulmohet me raketa

Kryeqyteti ukrainas, Kiev, është sulmuar me raketa nga Rusia, bën me dije kryebashkiaku i qytetit, Vitali Klitschko.

Sipas tij, mes objktivave që u goditën janë edhe dy ndërtesa banimi në rrethin qendror, Pechersk. Klitschko shtoi se disa prej raketave ruse janë rrëzuar me sukses, dhe se ekipet e shpëtimit janë në vendin e ngjarjes.

Ky sulm po ndodhë derisa liderët botërorë janë mbledhur në Bali të Indonezisë në samitin e G20-tës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, ku kanë dënuar pushtimin rus të Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u tha liderëve botërorë më 15 nëntor, përmes video-lidhjes, se koha për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë është “tani”.

Kjo është hera e parë që G20-ta takohet prej se Rusia ka nisur pushtimin në fund të shkurtit.

Sulmi i sotëm me raketa mbi Kiev vjen dhe pas disfatës në Kherson, ku pas një pushtimi rreth 8 mujor forcat ruse u detyruan të tërhiqeshin.