TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në Nju Hempshër është krijuar një pështjellim politik. Shtëpia e Bardhë dëshiron t’i zhvendosë zgjedhjet e para paraprake nga vendi i tyre tradicional, për në shtetin me larmi më të madh etnike, Karolinën e Jugut, që perceptohet edhe si mjedis më i favorshëm për kandidatin Joe Biden.
Votuesit e atjeshëm e kundërshtojnë me forcë këtë ndryshim të planifikuar për vitin e ardhshëm dhe zotohen se do t’i zhvillojnë zgjedhjet e tyre paraprake sipas planit, pavarësisht udhëzimeve të drejtuesve në kryeqytet të Partisë Demokrate.
Votuesit nga mbarë spektri politik në Nju Hempshër duket se janë të bashkuar për një çështje – Karolina e Jugut nuk duhet t’i zëvendësojë si shtetin e parë që mban zgjedhjet paraprake për procesin e zgjedhjes së presidentit në vitin 2024.
Këto ndjenja i shpreh edhe Chris Ryan, drejtues i emisionit “New Hampshire Today”, në kanalin në radio WGIR.
“Ky është rreziku më i madh me të cilin është përballur Nju Hempshër në mbi 100 vite votimesh. Dhe po sillet nga Joe Biden, një individ që kandidoi këtu tre herë për president”, thotë zoti Ryan.
Ndjenjat janë lënduar edhe në lokalin “Red Arrow” në qytetin Mançester, i mirënjohur si restoranti që duhet vizituar nga çdo president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.
“Nju Hempshër krenohet shumë që ka këtë rol në zgjedhjet paraprake, dhe t’ua heqësh këtë pa ndonjë lloj arsyetimi të thelluar, është disi ofenduese në shumë mënyra dhe madje është më tepër si një shuplakë”, thotë Mark Hanneman, klient në restorantin “Red Arrow”.
“Është shumë e rëndësishme për ekonominë. Mbështetemi tek kjo. Hotelet… gjithë restorantet… Sjell shumë njerëz këtu. Është gjë e mirë. Ju lutemi mos na e hiqni”, thotë Ellen Ryan, kamariere në restorantin “Red Arrow”.
Në vitin 2020, zoti Biden u radhit i pesti në zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër, por në vazhdim fitoi zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut.
Nju Hempshër ka reputacionin se ka ndihmuar politikanët më pak të njohur dhe me më pak mbështetje financiare, ndërsa ka dëmtuar personat me fonde të mëdha dhe me dukshmëri më të lartë publike, thotë Neil Levesque i Institutit të Nju Hempshërit për Politikat.
“Mendoj se Shtëpia e Bardhë po përpiqet qartazi të ndryshojë axhendën dhe kalendarin zgjedhor për të ndihmuar presidentin aktual”, thotë zoti Levesque.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre iu shmang pyetjes së Zërit të Amerikës se përse Nju Hempshër duhet t’i lërë vendin Karolinës së Jugut, ose përndryshe të ndëshkohet nga Partia Demokrate.
“Komiteti Kombëtar Demokrat e ka trajtuar këtë çështje. Nuk do i shtoj asgjë më tepër atyre që kemi thënë”, tha zonja Jean-Pierre.
Nëse Nju Hempshër do të ndëshkohet për organizimin e paautorizuar të zgjedhjeve paraprake, Presidenti Biden mund të përballet me një sfidant nga Partia Demokrate që mund të kërkojë të përfitojë nga situata.
“Nuk kam dyshim se do të ketë një kandidat përballë Joe Biden-it nga brenda Partisë Demokrate, që do vijë këtu dhe do të ketë sukses”, thotë zoti Ryan.
Anna Brown, drejtore për hulumtimet në organizatën për të drejtat civile “Citizens Count”, gjithashtu mendon se Presidenti Biden do të përballet me një sfidant.
“Nëse ia heqin Nju Hempshërit, a do të eliminonte kjo mundësinë e një sfidanti përballë Presidentit Biden? Jo. Vetëm sa do të ndryshojë dialogun dhe mund ta bëjë më të zhurmshëm Nju Hempshërin”, thotë zonja Brown.
Shteti Nju Hempshër nuk ka as hapësirë ligjore për të vepruar.
“Kemi një ligj këtu në Nju Hempshër që thotë se duhet të veprojmë shtatë ditë përpara të gjitha zgjedhjeve të ngjashme”, thotë zonja Levesque.
Kjo do të thotë se Nju Hempshëri, megjithëse është ndër shtetet amerikane me më pak diversitet etnik, do të mbajë me siguri zgjedhjen e parë paraprake vitin e ardhshëm, megjithë kundërshtitë e presidentit dhe të Partisë Demokrate.
“Mendoj se do të jetë një zgjedhje paraprake shumë interesante në Nju Hempshër, pavarësisht nëse Biden do të ketë apo jo një sfidant. Por, mendoj se do të jetë veçanërisht interesante nëse Biden do të ketë një sfidant”, thotë zonja Brown.
Komiteti Kombëtar Demokrat pritet të japë në fillim të shkurtit miratimin përfundimtar të kalendarit për zgjedhjet paraprake 2024./ VOA