BOTA, 18 Nëntor 2023, 16:18

Nevojë për punëtorë, Gjermania ndryshon rregullat për emigracionin

Nevojë për punëtorë, Gjermania ndryshon rregullat për

Gjermania ka ndryshuar rregullat për emigracionin si pasojë e nevojës për punëtorë në fusha si infermieria, teknologjia, logjistika e sektorë të tjerë.

Në këto kushte shteti ka vendosur të aplikojë ndryshimet e para duke nisur nga sot, 18 nëntor 2023.

Konkretisht:

Specialistët me diplomë universitare, ose nivel kualifikimi të ngjashëm që vijnë nga vendet jashtë Bashkimit Europian mund të shkojnë në Gjermani me Kartën Blu të BE-së. E drejta e qëndrimit do të ketë më shumë fleksibilitet dhe gjithashtu hiqet kufizimi për të punuar në fushën profesionale që ke studiuar.

Bëhet më i lehtë edhe miratimi nga Agjencia Federale e Punësimit për shoferët profesionistë. Leja e punës jepet pa kontrolluar nëse ka qytetarë të BE-së që e kërkojnë këtë vend dhe pa provim gjuhe.

Ndërkohë nga data 1 mars 2024, ata që kanë eksperiencë pune mund të emigrojnë më lehtë drejt Gjermanisë. Kush ka nevojë për një kualifikim shtesë në Gjermani për të arritur barazvflefshmërinë e kualifikimit do të mund të qëndrojë në Gjermani deri në tre vjet në të ardhmen.

Mundësia për të punuar me kohë të pjesshme po zgjerohet edhe për studentët dhe kursantët. Do të lehtësohen gjithashtu burokracitë për ribashkimin familjarë, pra nëse punëtorëve do t’u bashkohen bashkëshortët dhe fëmijët e mitur, ata duhet të dëshmojnë se të ardhurat mjaftojnë për të jetuar, por jo edhe se kanë sipërfaqen e duhur për banesë.

Nga qershori 2024, kuota vjetore do të dyfishohet në 50,000 punëtorë.