BOTA, 31 Dhjetor 2021, 13:47

Në mes të dimrit, zjarret “pushtojnë” Koloradon! Evakuohen mijëra qytetarë

Në mes të dimrit, zjarret “pushtojnë” Koloradon!

Dhjetëra mijëra njerëz u detyruan të evakuohen dhe mijëra shtëpi tashmë janë shkatërruar si pasojë e zjarreve që po përhapen me shpejtësi në shtetin amerikan, Kolorado.

Sipas zyrtarëve pritet të ketë viktima e të lënduar. Rreth 30 mijë njerëz në qytetet Luisvill dhe Superior u urdhëruan të largohen nga shtëpitë më 31 dhjetor.

Njëkohësisht, guvernatorit Jared Polis shpalli gjendje e jashtëzakonshme.

“Ky zjarr nuk është çështje e resurseve, është fuqi e natyrës”, tha ai në një konferencë për media.

Era me fuqi prej 169 kilometra në orë është duke ndikuar në përhapje të shpejtë të zjarrit në rajonin që paraprakisht u prek nga thatësia e madhe.

Derisa zjarret e mëhershme që kishin prekur Koloradon shpërthenin në zonat më rurale, ky i fundit po ndodhë në pjesët më urbane të shtetit. REL