BOTA, 21 Gusht 2025, 18:56

Modi dhe Macron diskutojnë në telefon për paqen e Ukrainës dhe Lindjen e Mesme! India kërkon forcimin e marrëdhënieve me aleatët mes tensioneve me SHBA-në

Modi dhe Macron diskutojnë në telefon për paqen e Ukrainës

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, zhvilluan sot një bisedë telefonike ku diskutuan përpjekjet për zgjidhjen paqësore të konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, njoftoi zyrtarisht qeveria indiane.

“Pata një bisedë shumë të mirë me mikun tim, Presidentin Macron,” shkroi Modi në një postim në rrjetet sociale. “Shkëmbyem mendime mbi përpjekjet që po bëhen për zgjidhjen paqësore të konflikteve në Ukrainë dhe Azinë Perëndimore,” shtoi ai.

Presidenti Macron, nga ana tjetër, iu referua samitit të fundit të mbajtur në Uashington, si dhe situatës aktuale në Rripin e Gazës.

Gjatë bisedës, të dy liderët theksuan edhe një herë përkushtimin e tyre për të thelluar partneritetin strategjik midis dy vendeve, në një moment kur India po përpiqet të forcojë lidhjet ndërkombëtare, mes tensioneve në rritje me Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me rritje të tarifave nga 25% në 50% për mallrat indiane, nëse India vazhdon të blejë naftë nga Rusia. Këto blerje i kanë kursyer Indisë miliarda dollarë, por janë kthyer në një pikë tensioni me Uashingtonin, pasi konsiderohen burim i rëndësishëm të ardhurash për Moskën.

Ndërkohë, gjatë kohës që u zhvillua telefonata mes Modi dhe Macron, ministri i Jashtëm indian, Subrahmanyam Jaishankar, ndodhej në Moskë në takim me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, me të cilin diskutoi çështje tregtare dhe ekonomike.