BOTA, 5 Prill 2025, 17:15

"Mendoj se ata duan të takohen", Trump i bën thirrje Iranit për bisedime të drejtpërdrejta mbi marrëveshjen bërthamore

"Mendoj se ata duan të takohen", Trump i bën thirrje Iranit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i bëri thirrje dje Iranit për “bisedime të drejtpërdrejta” lidhur me marrëveshjen bërthamore.

Më herët, presidenti amerikan paralajmëroi se do të ndërmerrte veprime ushtarake kundër Iranit – nëse ai vazhdonte të avanconte me programin e tij të armëve bërthamore.

Trump ka vendosur një afat dymujor për Iranin për të negociuar mbi aktivitetet e tij bërthamore, të cilat kanë qenë prej kohësh një burim tensioni midis Iranit dhe vendeve perëndimore.

“Unë mendoj se është më mirë nëse zhvillojmë bisedime të drejtpërdrejta”, u tha ai gazetarëve në bordin e avionit presidencial “Air Force One”.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha javën e kaluar se Teherani nuk do të angazhohej në bisedime të drejtpërdrejta me Uashingtonin – derisa të kishte një ndryshim në qasjen e palës tjetër ndaj Republikës Islamike.

Trump, në mandatin e tij të parë prishi një marrëveshje bërthamore të vitit 2015 të negociuar nga paraardhësi Barack Obama dhe rivendosi sanksione ndaj Iranit.

Marrëveshja, e nënshkruar midis Teheranit dhe fuqive botërore, i kërkonte Iranit të kufizonte ambiciet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

“Ata donin ndërmjetës. Unë nuk mendoj se kjo është domosdoshmërisht ende e vërtetë”, tha Trump.

“Unë mendoj se ata janë të shqetësuar, mendoj se ndihen të pambrojtur. Unë nuk dua që ata të ndihen kështu. Unë mendoj se ata duan të takohen”, tha ai.

Trump tha muajin e kaluar se i kishte shkruar liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei për të zhvilluar negociata rreth marrëveshjes bërthamore dhe duke paralajmëruar për veprime të mundshme ushtarake nëse Teherani refuzonte.

Trump u dha iranianëve një afat prej dy muajsh për të arritur një marrëveshje të re bërthamore.

Si përgjigje, Teherani ka rënë dakord vetëm për negociata indirekte. Sipas “The Conversation”, ai ka përjashtuar çdo bisedë të drejtpërdrejtë ndërsa është nën një politikë amerikane të “presionit maksimal”.

Khamenei u përgjigj duke thënë se kërcënimet e SHBA-se “nuk do t’i çonin gjëkundi” dhe paralajmëroi për masa reciproke nëse ata bënin ndonjë hap keqdashës kundër Iranit.

Javën e kaluar, Trump tha se “do të kishte bombardime” ndaj Iranit – nëse ai nuk hiqte dorë nga përpjekjet e tij për të prodhuar armë bërthamore.

Ditët e fundit, bombarduesit amerikanë B-2 dhe anijet luftarake janë dislokuar në rajon.