BOTA, 22 Shkurt 2025, 21:52

Kryeministri britanik: Do të diskutoj rëndësinë e ruajtjes së sovranitetit të Ukrainës në bisedimet me Trump

Kryeministri britanik: Do të diskutoj rëndësinë e ruajtjes

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer i tha sot presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky se do të diskutonte rëndësinë e ruajtjes së sovranitetit të Ukrainës në bisedimet me Donald Trump javën e ardhshme, ndërsa përsëriti “mbështetjen e hekurt” të BM-së për vendin.

“Starmer këmbënguli se zëri i Kievit duhej të ishte në qendër të çdo negociate për paqen duke shtuar se ai do të fokusohej në këto diskutime të rëndësishme – gjatë vizitës së tij në Uashington”, tha sot Downing Street në një deklaratë pas bisedës telefonike sot midis Starmer dhe presidentit ukrainas.

“Kryeministri Starmer rikonfirmoi mbështetjen e hekurt të Britanisë së Madhe për Ukrainën dhe angazhimin për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për t’i dhënë fund luftës ilegale të Rusisë”, tha Downing Street.

“Udhëheqësit reflektuan mbi zhvillimet e fundit në konflikt, me afrimin e përvjetorit të tretë të pushtimit në shkallë të gjerë dhe ranë dakord për nevojën për të vazhduar punën së bashku me aleatët për të arritur paqen përmes forcës”, sipas deklaratës.

“Ata ranë dakord se tani ishte një moment i rëndësishëm për të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë evropiane në përgjithësi”, tha Downing Street.