TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Irani planifikon të mobilizojë 80 000 oficerë të rinj të policisë së moralit në Teheran – për të mbikëqyrur zbatimin e kodit të veshjes islamik – që kërkon që gratë të mbajnë shamitë e kokës në mënyrë më të vazhdueshme, sipas një zyrtari.
“Forcat e reja kanë për qëllim të luftojnë pabarazinë sociale dhe çdo tendencë drejt sekularizmit”, tha Ruhollah Momen-Nassab, kreu i Autoritetit për Promovimin e Standardeve Etike.
“Kjo iniciativë synon të sjellë një “transformim të thellë shoqëror” në Teheran”, tha Momen-Nassab.
Kërkesa për shaminë e kokës konsiderohet si një nga gurët themelorë ideologjikë të shtetit iranian.
Sipas rregullave islamike, gratë në Iran duhet të veshin një xhaketë të gjatë dhe një shami koke për të mbuluar format e trupit dhe flokët e tyre.
Por, gjithnjë e më shumë gra iraniane po i shpërfillin rregullat, veçanërisht që nga protestat mbarëkombëtare në vitin 2022 dhe rritja e lëvizjes së grave.
Përkrahësit islamikë të vijës së ashpër kanë kundërshtuar mosrespektimin në rritje të rregullave fetare me dënime më të ashpra dhe miratuan një ligj të ri për shaminë në parlament, duke i bërë gratë t’u nënshtrohen gjobave të rënda, përjashtimit nga shërbimet publike dhe dënimeve me burg për shkeljet e përsëritura.
Megjithatë, si qeveria e presidentit Masoud Pezeshkian ashtu edhe Këshilli i Sigurisë ndaluan zbatimin e ligjit të diskutueshëm për vendosjen e shamisë, nga frika se kjo mund të çonte në protesta të reja si ato të vitit 2022.
Pezeshkian madje paralajmëroi se zbatimi i dhunshëm i rregulloreve mund ta largonte popullsinë nga vetë Islami.
Lëvizja e grave, e cila mblidhet nën sloganin “Gruaja, Jeta, Liria”, u formua pas vdekjes së vajzës së re kurde Jina Mahsa Amini, e cila vdiq në paraburgim pasi u arrestua për shkelje të dyshuar të kodit të veshjes islamike.
Vdekja e saj shkaktoi protesta kombëtare dhe ndërkombëtare që tronditën kombin, duke e zhytur sistemin islamik të Iranit në krizën e tij më të keqe deri më sot.