BOTA, 10 Korrik 2024, 14:11

I shoqi akuzohet se e vrau dhe fshehu kufomën, gjenden rrobat e 42-vjeçares që u zhduk në maj

I shoqi akuzohet se e vrau dhe fshehu kufomën, gjenden rrobat e

Autoritetet italiane kanë rënë në gjurmë që mund të çojnë në gjetjen e trupit të Francesca Deidda, 42-vjeçares e cila rezulton e zhdukur prej muajit maj dhe dyshohet se është vrarë nga i shoqi, Igor Sollai.

Gjurmë të saj janë gjetur në zonën midis Sinnai dhe San Vito, në pikën ku rezulton i lokalizuar për herë të fundit telefoni i saj. Jo shumë larg urës, janë gjetur veshjet dhe sendet personale të Françeskës.

Zona është rrethuar dhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupit të saj. I shoqi, 43-vjeçari Igor Sollai, u arrestua me akuzën e vrasjes së rëndë dhe fshehjes së kufomës.

Francesca Deidda rezulton e zhdukur që prej muajit maj dhe sipas Prokurorisë ajo është vrarë nga bashkëshorti i saj.

Të martën, vëllai i 42-vjeçares, Andrea, bëri një apel përmes rrjeteve sociale për kunatin e tij, duke i kërkuar të tregonte të vërtetën dhe të mos mohonte provat.

Sollai nuk ka pranuar krimin duke pretenduar se është i pafajshëm. Ai pretendon se gruaja e tij u largua vullnetarisht: “Donte të bënte një periudhë reflektimi”, u tha Sollai hetuesve.

Ndër elementët që e çuan dyshimet tek shoferi i kamionit ishin mospërputhjet në deklaratat e tij, por edhe rreziku i arratisjes.

Ai ka të afërm në Holandë dhe së fundmi kishte kontakte të përsëritura me ta.

43-vjeçari tashmë kishte një lidhje me një grua tjetër dhe donte të ndahej nga bashkëshortja, por kishte frikë se do të humbiste pronat, përfshirë shtëpinë në San Sperate, të cilën e ndante me Françeskën.

Kur Francesca Deidda u zhduk në fund të muajit maj, ishte vëllai i saj që bëri denoncimin në polici.

Hetuesit filluan të gërmojnë në të kaluarën e të dyve dhe të kërkonin për gruan, por nuk u gjet asnjë gjurmë e saj apo e celularit të 42-vjeçares.

Igor Sollai akuzohet se ka përdorur telefonin e gruas së tij për ta “mbajtur” të gjallë në sytë e miqve dhe të afërmve, në një përpjekje për të bindur të gjithë se zhdukja e saj kishte qenë vullnetare dhe se ishte e lidhur me përfundimin e marrëdhënies së tyre.

Ai ka shkëmbeyer mesazhe me miqtë dhe të afërmit e gruas, duke i mohuar, me justifikime të ndryshme, mundësinë e të folurit direkt në telefon. Madje ka arritur deri aty sa i ka dërguar email punëdhënësit të saj ku i njoftonte dorëheqjen e saj nga puna.

Zhdukja e gruas, thotë policia, është raportuar më 30 maj nga vëllai i saj. Që atëherë, policia ka shqyrtuar të gjitha hipotezat e mundshme.

Hetimet për vetëvrasje dhe largim vullnetar u konsideruan të pamundura, duke bërë që hetuesit të fokusoheshin në jetën e gruas dhe marrëdhënien e saj me bashkëshortin.

Ndaj tij u ngritën dyshimet pas analizave të gjurmëve kompjuterike të lëna nga i dyshuari si edhe për shkak të mospërputhjes së versioneve të dhëna në polici në ditët para zhdukjes së gruas së tij.

Policia ka rikonstruktuar lëvizjet dhe sjelljet e 43-vjeçarit, duke konstatuar sesi ai kishte “zëvendësuar” bashkëshorten si me të afërmit ashtu edhe me punëdhënësin. Ndërkohë është sekuestruar shtëpia ku jetonte çifti.