BOTA, 18 Dhjetor 2021, 15:35

Frika nga "Omicron", Parisi anulon festimet për natën e ndërrimit të viteve

Frika nga "Omicron", Parisi anulon festimet për natën e

Parisi ka anuluar edhe për këtë vit ceremoninë e hedhjes së fishekzjarreve për natën e ndërrimit të viteve si dhe festimet në rrugën “Champs Elysees” më 31 dhjetor 2021.

Vendimi vjen pasi vendi ka shtrënguar sërish rregullat për të parandaluar përhapjen e variantit të ri të koronavirusit, Omicron, raporton “Reuters”.

Kryeministri francez Jean Castex tha të Premten se festat e mëdha publike dhe hedhja e fishekzjarrëve do të ndalohen në natën e Vitit të Ri dhe rekomandoi që njerëzit, edhe nëse janë të vaksinuar, të bëjnë një test për COVID-19 përpara se të bashkohen për të kaluar festat e fundvitit me persona të tjerë.

Në të gjithë kontinentin, zyrtarët shëndetësorë po përgatiten për një valë të re infeksionesh.
Kufizime shtesë u njoftuan në Gjermani, Republikën e Irlandës dhe Holandë të Premten, ndërsa qeveritë po kërkojnë medoemos të frenojnë valën e re.

Evropa ka regjistruar deri tani më shumë se 89 milionë raste dhe 1.5 milionë vdekje për shkak të Covid, sipas shifrave të fundit të BE-së.