BOTA, 3 Tetor 2025, 21:02

Estonia rishikon ligjin për kishat për të kufizuar ndikimin e Moskës, Presidenti çon rregulloret në gjykatë: Të shpallen jokushtetuese

Estonia rishikon ligjin për kishat për të kufizuar ndikimin e

Gjykata e Lartë e Estonisë do të rishikojë ndryshimet në ligjin për Kishat dhe Bashkësitë Fetare, të cilat synojnë të kufizojnë ndikimin e Kishës Ortodokse Ruse në jetën shpirtërore të vendit, tha sot presidenti Alar Karis.

Karis deklaroi se do t’i dorëzojë rregulloret për rishikim në gjykatën më të lartë, duke kërkuar që ato të shpallen jokushtetuese. Sipas tij, dispozitat e reja bien në kundërshtim me pjesë të kushtetutës së Estonisë dhe kufizojnë në mënyrë të tepërt lirinë e asociimit dhe të fesë.

Presidenti shtoi se tashmë ekzistojnë mjete ligjore për të monitoruar dhe kufizuar ndikimin e Patriarkatit të Moskës dhe se këto masa duhet të zbatohet më rigorozisht aty ku është e nevojshme.

Ai gjithashtu sugjeroi se qëllimet e rregulloreve mund të arrihen pa kufizime kaq të gjera dhe të paqarta, nëse ligji do të formulohej më qartë.

Diskutimi vjen pasi parlamenti miratoi ndryshimet në Ligjin për Kishat dhe Bashkësitë Fetare në prill, duke detyruar Kishën Ortodokse të ndërpresë çdo lidhje me Patriarkatin e Moskës.

Rregullorja u miratua nga qeveria si përgjigje ndaj pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini dhe mbështetjes së Patriarkut Kirill të Kishës Ortodokse Ruse.

Karis ka vendosur veto ndaj masës dy herë, por parlamenti e ka anuluar atë secilën herë.

Në Estoni, ku jeton një minoritet i madh rus, më shumë se 100 000 besimtarë i përkasin Kishës Ortodokse të Patriarkatit të Moskës.