BOTA, 3 Shkurt 2022, 19:30

Erdogan injoron Këshillin e Europës, nuk pranon lirimin e aktivistit: Po e them thjeshtë dhe qartë…

Erdogan injoron Këshillin e Europës, nuk pranon lirimin e aktivistit:

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha të enjten se Turqia nuk do të respektojë autoritetin e Këshillit të Evropës, KE-së, apo Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ, për rastin e biznesmenit dhe aktivistit turk Osman Kavala, i cili ka qenë në burg për më shumë se katër vite.

“Po e them thjeshtë dhe qartë. Ne nuk do t’i njohim ata që nuk i njohin gjykatat tona”, tha Erdogan pasi Këshilli i Evropës filloi një proces shkeljeje kundër Turqisë të mërkurën.

Erdogan tha se gjykatat turke e kishin marrë tashmë vendimin e tyre për Kavallën. “Nuk na shqetëson se çfarë thotë GJEDNJ-ja apo Këshilli i Evropës. Ne presim që ata të respektojnë gjykatat tona. Nëse ata nuk tregojnë respekt për gjykatat tona, as ne nuk do të respektojmë gjykatat e tyre”, vazhdoi Erdogan.

Këshilli i Evropës filloi të mërkurën procedurat e shkeljes kundër Turqisë dhe e ktheu çështjen në GJEDNJ e cila do të vendosë nëse Turqia ka përmbushur detyrimet e saj për të zbatuar vendimin.

Nëse gjykata më e lartë evropiane për të drejtat e njeriut konfirmon, siç pritet, se Turqia nuk e ka zbatuar vendimin e saj, Komiteti i Ministrave të Këshillit Evropian mund të marrë masa shtesë kundër Turqisë.

Këto mund të përfshijnë pezullimin e të drejtave të votës së Turqisë në Këshillin Evropian dhe madje edhe humbjen e anëtarësimit të Turqisë.

Komiteti i Ministrave të KE-së i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur Turqisë të lirojë Osman Kavalën dhe të burgosur të tjerë politikë, duke i dhënë Ankarasë disa afate përpara se të vendosë sanksione.

Megjithatë, qeveria i ka shpërfillur thirrjet e opozitës në Turqi, KE-së, BE-së dhe grupeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për lirimin e Kavalës.

Ish-anëtari i bordit të Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur në Turqi ka qenë në burg për më shumë se katër vjet me akuza lidhur me përfshirjen e dyshuar në përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit në Turqi në vitin 2016 dhe protestat në parkun Gezi në Stamboll në vitin 2013.

Human Rights Watch tha të mërkurën se fillimi i procedurave të shkeljes kundër Turqisë ishte një hap i rëndësishëm për të mbështetur të drejtat e njeriut në Turqi dhe për të mbështetur të drejtat ndërkombëtare të njeriut.

“Rezoluta ka të bëjë me dështimin e Turqisë gjatë dy viteve të fundit për të përmbushur vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në të cilin Gjykata vendosi që Turqia duhet të lirojë mbrojtësin e të drejtave të njeriut Osman Kavala dhe të rikthejë plotësisht të drejtat e tij”, tha HRË në një deklaratë./Reporter.al