BOTA, 27 Qershor 2025, 15:31

Djali i princeshës së Norvegjisë nën hetim për 23 vepra penale, përfshirë tre akuza për përdhunim

Djali i princeshës së Norvegjisë nën hetim për 23 vepra

Marius Borg Høiby, djali 28-vjeçar i Princeshës së Kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, është në qendër të një skandali të rëndë ligjor që ka tronditur familjen mbretërore norvegjeze. Pas një hetimi dhjetëmujor, autoritetet policore kanë konfirmuar se ai dyshohet për gjithsej 23 vepra penale, duke përfshirë tre akuza për përdhunim – një me akt seksual të plotë dhe dy pa marrëdhënie të plotë seksuale.

Arrestimi i Høiby-t ndodhi më 4 gusht 2024, pas një sulmi ndaj të dashurës së tij të atëhershme. Më pas, dëshmi të tjera shtesë e zgjeruan hetimin dhe çuan në ngritjen e akuzave të shumta. Vetë Høiby ka pranuar publikisht se gjatë incidentit ka vepruar nën efektin e alkoolit dhe kokainës, duke përmendur probleme mendore dhe varësi afatgjatë ndaj substancave narkotike.

Avokatja e tij, Ellen Holager Andenæs, ka deklaruar se klienti i saj i mohon të gjitha akuzat për përdhunim, por ka pranuar akuzat për sulm fizik dhe dëmtim prone.

Lista e plotë e akuzave:
3 akuza për përdhunim
4 për sjellje seksuale të papërshtatshme
1 për abuzim në marrëdhënie të ngushta
2 për dëmtime fizike
1 për vandalizëm
1 për kërcënime
5 për shkelje të urdhrave të ndalimit
1 për fyerje ndaj një oficeri policie
5 kundërvajtje në trafik
Sipas prokurorit Andreas Kruszweski, numri i viktimave përfshihet në një shifër dyshifrore, por pa dhënë më shumë detaje.

Një jetë në hije të kurorës
Marius, i lindur nga një lidhje e mëparshme e princeshës Mette-Marit me Morten Borg – një person me precedentë penalë, u rrit brenda familjes mbretërore pas martesës së nënës së tij me princin e kurorës, Haakon. Edhe pse nuk ka pasur rol zyrtar në monarki, ai ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes mediatike.

Për vite me radhë, ai ka qenë i lidhur me rrethe të dyshimta, përfshirë anëtarë të bandave, motoristë të grupit Hells Angels dhe persona të lidhur me të ashtuquajturën “mafia shqiptare” në Oslo. Në vitin 2023, policia e paralajmëroi pas lëvizjeve në qarqe kriminale.

Në vitin 2017, ai ishte arrestuar për përdorim kokaine në një festival muzikor.

Goditje për monarkinë
Skandalet që rrethojnë Høiby-n kanë lënë gjurmë edhe në imazhin publik të familjes mbretërore. Sipas një sondazhi të publikuar nga transmetuesi norvegjez NRK në dhjetor 2024, 45% e të anketuarve deklaruan se perceptimi i tyre për monarkinë është përkeqësuar gjatë vitit të fundit.

Megjithatë, mbretëria norvegjeze vijon të mbetet e dashur, veçanërisht për figurat e Mbretit Harald dhe Princit të Kurorës Haakon, të cilët gëzojnë ende mbështetje të fortë publike.

Çështja e Høiby-t pritet të ketë zhvillime të mëtejshme, ndërsa prokuroria shqyrton mundësinë e ngritjes formale të aktakuzave.