BOTA, 22 Prill 2024, 11:08

Dështoi të parandalonte sulmin e 7 tetorit, jep dorëheqjen kreu i inteligjencës ushtarake izraelite

Dështoi të parandalonte sulmin e 7 tetorit, jep dorëheqjen kreu i

Kreu i drejtorisë së inteligjencës ushtarake të Izraelit dha dorëheqjen ditën e sotme për dështimet rreth sulmit të paprecedentë të Hamasit më 7 tetor, duke u bërë zyrtari i parë i lartë që jep dorëheqjen si përgjegjës për mos-parandalimin e sulmit të Hamasit.

Këtë e kanë raportuar mediat izraelite, sipas të cilave Aharon Haliva kishte treguar se ai do të tërhiqej pas përfundimit të luftës dhe duket se do të mbetet në këtë rol, derisa të emërohet një zëvendësues.

Gazeta Ynet publikoi një imazh të letrës së tij të dorëheqjes. Gjenerali i kishte përshkruar ngjarjet e 7 tetorit si "një dështim të inteligjencës ushtarake".

“Drejtoria e inteligjencës nën komandën time nuk e përmbushi detyrën që na ishte besuar. E mbaj atë ditë të zezë me vete qysh atëherë, ditë pas dite, natë pas nate. Dhimbjen do ta mbaj me vete përgjithmonë”, ka shkruar Haliva në letrën e dorëheqjes.