BOTA, 20 Janar 2023, 11:52

Dalin mesazhet, si i "gjuante" Andrew Tate vajzat rumune nëpër rrjete sociale

Dalin mesazhet, si i "gjuante" Andrew Tate vajzat rumune
Vëllezërit Tate të arrestuar në Bukuresht

Daria Gusa ishte 16 vjeç dhe ende në shkollë kur thotë se mori një mesazh privat në Instagram nga Andrew Tate, një influencues i profilit të lartë, pothuajse 20 vjet më i madh se ajo. “Aty shkruhej vetëm ‘vajza rumune’ me disa emotikon flirtues. Isha konfuze sepse kisha vetëm 200 ndjekës dhe ishte një llogari private”, ka shpjeguar Gusa.

Ajo është një nga dy adoleshentet që kanë përshkruar për BBC-në se si Andrew Tate dhe vëllai i tij Tristan iu afruan atyre në internet, me sa duket duke përdorur një formulë standarde. "Ishte e qartë se ne ishim vajza të shkollës së mesme. Ne kishim shkollën tonë të mesme në biografinë tonë dhe gjithçka. Mendoj se ai thjesht po përpiqej të gjente vajza që ishin sa më të pafajshme ose naive, për mendimin tim”, ka rrëfyer Daria. Ajo tregoi një screenshot të mesazhit, të cilit nuk iu përgjigj kurrë. Por ajo thotë se disa nga miqtë e saj e bënë këtë.

Dalin mesazhet, si i "gjuante" Andrew Tate vajzat rumune



Daria, e cila tani është në universitet në Mbretëri të Bashkuar, është vajza e një politikani të shquar rumun dhe po flet publikisht për rastin, kur të tjerët po refuzojnë ta bëjnë këtë. Vëllezërit Tate janë aktualisht në paraburgim 30-ditor në Rumani ndërsa policia po heton akuzat për përdhunim dhe trafikim, të cilat të dy burrat i mohojnë.

Që kur ndau përvojat e saj, Daria thotë se shumë të rinj e kanë akuzuar për gënjeshtra. Ajo thotë se shumë burra të moshës së saj e kanë idhull Andrew Tate, i cili është 36 vjeç. 

"Ky është një problem i madh sepse ne nuk mund të zgjohemi në 20 vjet me dy milionë Andrew Tates”, është shprehur ajo.

Në publicitetin për kurset e tij në internet, në manipulimin dhe shfrytëzimin e grave, Andrew Tate thoshte: "Unë kam drejtuar një studio web-cam për më shumë se një dekadë. Mbi 50 për qind e punonjësve të mi ishin në të vërtetë të dashurat e mia në atë kohë dhe mbi të gjitha shoqet e mia. ASNJË nuk ishte në industrinë e argëtimit të të rriturve para se të më takonin”.

Tate kishte deklaruar më parë se kurrë nuk do të lidhej me një grua më të vjetër se 25 vjeç.

Një tjetër vajzë, Gabriela (nuk është emri i saj i vërtetë), ishte 17 vjeç kur ishte kontaktuar në rrjetet sociale nga vëllai i Tate. Mesazhi i parë që ajo kishte marrë atë kohë nga ai ishte “Jeni shumë e bukur”.

Dalin mesazhet, si i "gjuante" Andrew Tate vajzat rumune


“E dija se po përdorte të njëjtë mënyrë tërheqjeje edhe me vajzat e tjera. Ai gjithmonë e nis bisedën me të njëjtën fjali: Jeni shumë e bukur”, ka rrëfyer Gabriela.

Ajo ka shtuar se një shoqe e saj mori saktësisht të njëjtin mesazh nga Tristan Tate.

Në videon e tij në internet, Andrew Tate thotë se fraza "ti je e bukur" nuk është e keqe si hapje, dhe vazhdon të përmend atë që ai e përshkruan si "një shembull i përsosur" i një bisede. Kjo është pikërisht ajo që duket se ka ndodhur në shkëmbimin me Gabrielën.

Dalin mesazhet, si i "gjuante" Andrew Tate vajzat rumune

Pamjet e ekranit të asaj që supozohet të jetë biseda e saj me Tristan Tate tregojnë se mesazhi i tij i radhës është pikërisht ashtu siç përshkruan Andrew: "Ndihem se të kam parë diku nëpër qytet më parë. A është e mundur kjo? Ku je fshehur?"

Gabriela thotë se ai e ftoi atë në makinën e tij dhe në një festë, por ajo nuk pranoi.

Dëshmia e këtyre vajzave të reja, së bashku me komentet e Andrew Tate në internet, flasin për një metodë të planifikuar paraprakisht për fillimin e kontaktit me vajzat.

Asnjë akuzë nuk është ngritur ende kundër vëllezërve Tate. Periudha e tyre e paraburgimit prej 30 ditësh do të përfundojë brenda pak më shumë se një jave.