TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Britania e Madhe, Kanadaja, Franca dhe Norvegjia njoftuan sot një paketë të re sanksionesh të koordinuara kundër individëve, organizatave dhe rrjeteve izraelite që akuzohen për financimin, mbështetjen dhe kryerjen e akteve të dhunës ndaj palestinezëve, në Bregun Perëndimor të pushtuar, raportoi “Reuters”.
Katër vendet perëndimore deklaruan se masat synojnë të vendosin përballë përgjegjësisë, kolonët ekstremistë për përshkallëzimin e sulmeve ndaj civilëve palestinezë, duke theksuar se, dhuna e vazhdueshme, po minon perspektivën e krijimit të një shteti palestinez.
Sanksionet janë koordinuar me masat e shpallura, javën e kaluar nga Australia dhe Zelanda e Re, duke reflektuar shqetësimin në rritje, të disa vendeve perëndimore ndaj politikave të qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, e cila ka zgjeruar ndërtimin e vendbanimeve hebraike në territoret palestineze.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Norvegjisë dhe Australisë kërkuan nga Izraeli të ndërmarrë hapa konkretë, për të garantuar llogaridhënie, për aktet e dhunës në Bregun Perëndimor.
Izraeli i hodhi poshtë sanksionet, duke argumentuar se ato përfaqësojnë një përpjekje politike, për të kufizuar të drejtën e hebrenjve, për t’u vendosur në atë që e konsiderojnë “Tokën e Izraelit”.
Ministria e Jashtme izraelite akuzoi gjithashtu qeveritë perëndimore, se po nxisin antisemitizmin përmes këtyre masave.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, njoftoi se Franca ka ndaluar hyrjen në vend, të ministrit izraelit të Financave, Bezalel Smotrich, si dhe katër drejtuesve të organizatave të kolonëve dhe 21 kolonëve të akuzuar, për akte dhune.
Britania e Madhe deklaroi se sanksionet e saj synojnë të ndërpresin rrjedhat financiare që, sipas saj, kanë lejuar grupet ekstremiste të kolonëve, të veprojnë pa u ndëshkuar.
Paketa britanike përfshin edhe një kompani ndërtimi, mjetet e së cilës thuhet se janë përdorur, për shkatërrimin e pronave palestineze.
Nga ana e saj, Kanadaja vendosi sanksione ndaj një kompanie tjetër ndërtimi dhe pronarëve të saj, duke ndaluar qytetarët dhe subjektet kanadeze, të kryejnë transaksione me personat dhe entitetet e sanksionuara.
Katër vendet paralajmëruan se mund të ndërmarrin masa të tjera, nëse qeveria izraelite nuk merr “hapa urgjentë” për përmirësimin e situatës në terren.
Një nga shqetësimet kryesore të komunitetit ndërkombëtar mbetet projekti izraelit E1, në lindje të Jerusalemit, i cili sipas kritikëve do të ndante Bregun Perëndimor në dy pjesë, dhe do të pengonte krijimin e një shteti palestinez, të qëndrueshëm dhe territorial.