BOTA, 19 Nëntor 2023, 21:05

Biden: Nëse Trump do të bëhet sërish President i SHBA-ve, atëherë ai do të shkatërrojë demokracinë amerikane

Biden: Nëse Trump do të bëhet sërish President i SHBA-ve,

Presidenti Joe Biden e përfundon pothuajse çdo fjalim duke thënë se është më optimist se kurrë më parë për drejtimin që ka marrë vendi. Por rishtazi, ai ka folur për një të ardhme shqetësuese për vendin, në rast se Donald Trump-i do të bëhej sërish president.

Presidenti Biden ka akuzuar gjatë ditëve të fundit ish-presidentin republikan se është “i vendosur të shkatërrojë demokracinë amerikane” dhe se po kërkon “hakmarrje” dhe “shpagim”.

Nga fushata elektorale e Presidentit Biden po dërgohen nëpërmjet postës elektronike mesazhe me paralajmërime të forta, si: “Amerika e Trump-it në 2025: Ndalim mbarëkombëtar i abortit”, si dhe “Kampe përqendrimi masive”. Ish-Presidenti Trump ka propozuar organizimin e atij që e quajti operacioni më i madh në historinë amerikane për të arrestuar dhe larguar emigrantët. Por ai nuk ka mbështetur një politikë për një ndalim në rang federal të abortit.

Në të gjitha rastet nxjerrja në pah e kontrastit mes Presidentit Biden dhe ish-Presidentit Trump do të kishte qenë një element qendror i strategjisë së demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Por më parë ish-Presidenti Trump përmendej vetëm shkurtimisht, ose aspak, në fjalimet e Presidentit Biden.

Tashmë, në mesazhet e fushatës elektorale Biden janë rritur ndjeshëm referencat ndaj ish-Presidentit Trump, ndërsa ka mbetur më pak se një vit deri në zgjedhje. Ndryshimi, që vjen pas rezultateve të dobëta në anketime të Presidentit Biden, tregon mënyrën se si mund të motivohen më shumë votuesit demokratë për të ndalur zotin Trump, sesa p.sh. duke dëgjuar për investime në infrastrukturë apo energjinë e rinovueshme.

Presidenti Biden ka pranuar se shumë votues nuk janë të kënaqur me gjendjen e ekonomisë. Votuesit janë të zhgënjyer me inflacionin e lartë dhe kanë shqetësime për moshën e tij të madhe. Pothuajse 81 vjeç, zoti Biden është personi më i moshuar që është zgjedhur president.

Gjatë një fjalimi të mërkurën me donatorët në San Françisko, Presidenti Biden tha se ish-Presidenti Trump po përdor retorikë naziste për të demonizuar kundërshtarët politikë. Komenti u bë pasi ish-Presidenti Trump u zotua të “çrrënjosë” ata që i cilësoi armiq, duke i përshkruar si “vemje”. Por në vazhdim të të njëjtit fjalim, Presidenti Biden iu rikthye motos së zakonshme, duke thënë se “nuk kam qenë ndonjëherë më optimist për të ardhmen e vendit”.

Ekziston një kakofoni mes shpresave të ushqyera nga Presidenti Biden për një Amerikë në ngritje dhe paralajmërimeve të tij të forta se vendi mund të bjerë pre e dikujt që ai e quan një tiran të ardhshëm. Zyrtarët e fushatës së tij thonë se dy mesazhet mbështesin njëra-tjetrën.

“Nuk mendoj se kundërshtojnë njëra-tjetrën. Këto janë dy anë të së njëjtës medalje dhe është përgjegjësia jonë që të nxisim në të dyja drejtimet”, tha Michael Tyler, drejtor për komunikimet në fushatën elektorale Biden.

Kur u pyet për komentet e Presidentit Biden dhe krahasimet me retorikën naziste, Steven Chung, zëdhënës i fushatës elektorale Trump tha se Presidenti Biden po “shkatërron demokracinë”.

“Është e papranueshme dhe raciste” që Presidenti Biden “të bëjë këtë lidhje neveritëse” me nazistët, tha zoti Cheung. “Por nuk do të prisja prej tij që të sillej në një mënyrë të nderuar. Ai vuan qartësisht nga Sindromi i Çrregullimit Trump dhe duhet të marrë ndihmë profesionale”.

Edhe nëse Presidenti Biden arrin të tejkalojë rezultatet e ulëta në anketime dhe të fitojë një mandat të dytë, nuk ekziston ndonjë garanci se demokracia do të shpëtohet automatikisht.

Në një fjalim në 9 nëntor për donatorët në Çikago, presidenti pranoi se do t’i duhet të krijojë një ndjesi uniteti duke e rikthyer vendin tek parimet e barazisë të Deklaratës së Pavarësisë. Por, këto janë po të njëjtat parime që ai thotë se dëshirojnë t’i braktisin ish-Presidenti Trump dhe miliona mbështetësit e tij.

“…nëse nuk e bashkon dot vendin, si ruan vazhdimësinë e një demokracie pjesëmarrëse nëse nuk arrin dot konsensusin?”, tha ai. “Si do të funksiononte kjo?!”/VOA