AKTUALITET, 5 Shtator 2018, 20:42

Bojkot zgjedhjeve lokale? Kreu i PD tregon strategjinë e opozitës

Bojkot zgjedhjeve lokale? Kreu i PD tregon strategjinë e opozitës
Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike, ka qenë i ftuar sot në emisionin “Fakt” në Syri.net përball gazetarit Çim Peka.

Basha ka folur dhe për zgjedhjet lokale të cilat janë vitin tjetër dhe është shprehur për mundësinë që ka opozita për bojkot të tyre.

Pjesë nga intervista

Çfarë do të bëjë opozita në vjeshtë z.Basha?

Opozita do të vazhdojë që të bëjë prej ditës së parë në opozitë me Edi Ramën kryeministër, të vendosë prioritetin e duhur. Kur e kemi thënë ditën e parë apo herën e parë kur nisën problemet, kur u evidentuan problemet e lidhjeve kriminale të Edi Ramës shumëkush e mori për luftë politike, tipike shqiptare, tipike ballkanike. Faktet dhe koha treguan që nuk ishte e tillë, që opozita, që Partia Demokratike dhe unë nuk i shërbyem interesit tonë politik, madje mund ta kemi dëmtuar interesin elektoral, në kuptimin e ngushtë të fjalës, por qëndruam lartë për interesin kombëtar. Si qëndrimi jonë për dekriminalizimin, si qëndrimi jonë për dekanabizimin, si lufta jonë kundër drogës dhe parave të pista të drogës që bëhet sot në mënyrën më të shpejtë përmes PPP-ve korruptive dhe koncesioneve; janë kauza të drejta të opozitës për shqiptarët. Pra, në këtë kuptim ne do të vazhdojmë fuqimisht aksionin tonë me një platformë të shpallur dhe publike, çlirimin e Shqipërisë nga krimi, çlirimin e drejtësisë nga kapja e qeverisë të lidhur me krimin dhe adresimin e krizës ekonomike dhe problemet e mprehta që kjo sjell për shqiptarët. Këto janë tre prioritetet tona.

Opozita nuk është vetëm kauzë dhe konstatim, është edhe aksion. Cili është aksioni?

Aksioni i opozitës do të jetë i ndërthurur në të gjitha rrafshet. E para e punës duhet thënë edhe një herë se Edi Rama nuk është në ditën e parë të qeverisjes dhe sot nuk ka shqiptarë, nuk ka qytetarë që nuk e kupton e pjesë e arrogancës, e shpërfilljes, e talljes me problemet e tyre, të fateve të tyre dhe të fëmijëve vjen sepse Edi Rama nuk e ka lidhur fatin me ta. Kur vjen në pushtet me kriminelët nuk të bëhet vonë për njerëzit e thjeshtë; pjesa tjetër është propagandë, është bojatisje por edhe asaj i ka dalë boja. i ka dalë boja sepse njerëzit janë velur, siç velesh edhe nga gjëja më e ëmbël, velesh edhe nga gjëja bajate. Kështu që bajatizmi dhe propaganda kur na del një herë si babagjyshi i Vitit të Ri dhe një herë si bamirës, etj, etj. Ndërkohë që ka shfaqje apo mosshfaqje shtazarake siç ishte ajo e Selenicës, tregojnë që kemi të bëjmë me një person i cili ka humbur çdo ndjesi për vendin, është shkëputur komplet nga realiteti ku jetojnë qytetarët e këtij vendi. Dhe kështu ndodh sepse dhjetëra herë në vit është në çarter duke udhëtuar për një ekspozitë luksi, për një ndeshje luksoze që kushton sa ndihma ekonomike për një qytet të vogël, etj, etj. Pra, kjo është e vërteta dhe kjo e vërtetë e pajis jo vetëm opozitën, por të gjithë qytetarët me një instrument. Tani e dimë që faktet, argumentet e drejta dhe të vërteta janë në krahun tonë dhe me këto në krahun tonë ne duhet të bëjmë betejën e duhur për të larguar këtë qeveri. Sepse pa largimin e kësaj qeverie, pa i dhënë fund bashkëqeverisjes me krimin vendi nuk do të ketë të ardhme. Sa kohë që kemi një kryeministër të lidhur me krimin, sa kohë të kemi një ministër të Brendshëm të lidhur me krimin, sa kohë të kemi një eksponent të maxhornacës të lidhur me krimin, Shqipëria do të jetë në mëshirën e bandave. Aksioni do të jetë shumë planesh; do të jetë aksion politik, pjesë e aksionit është edhe kjo bisedë për të sqaruar ju dhe përmes jush të gjithë ata që na ndjekin, natyrisht do të ketë edhe forma të organizimit qytetar dhe të protestave qytetare. Dhe për këtë arsye Partia Demokratike dhe aleatët tanë kanë ngritur një grup të përbashkët pune i cili brenda një jave, brenda dhjetë ditëve do të parashtrojë platformën politike për arritjen e objektivit numër një; që është t’i japim fund bashkëqeverisjes me krimin, të çlirojmë qeverisjen nga krimi. Dhe për zbatimin e kësaj platforme do të mobilizohet e gjithë gama e aksionit politik dhe qytetar që është në dispozicion të një opozite në çdo vend, duke përfshirë natyrisht edhe protestat masive.

Xhafa, Balla, Çyrbja…

Dhe vetë koka e Meduzës, që është vetë Edi Rama, arkitekti i këtij sistemi dhe sot peng i këtij sistemi. Kryeministri në letër, i cili kohën e tij tashmë nuk e kalon me qeverisjen e shqiptarëve, por duke iu dedikuar luksit të tij personal, stilit të jetës së tij prej sheiku, udhëtimeve me charter dhe ekspozitave të pikturës. Sepse qeverisjen ia ka deleguar bandave dhe krimit të organizuar dhe një grushti oligarkësh.

Do pranoni të bëhen zgjedhjet lokale me Edi Ramën kryeministër?

Synimi ynë është i qartë dhe prerë: Ti japim fund bashkëqeverisjes me krimin të Edi Ramës. Largimin e kësaj qeverie dhe ti japim njerëzve një zgjidhje politike e cila kalon jo vetëm e thjeshtë përmes zgjedhjeve lokale, por përmes shprehjes së vullnetit të shqiptarëve me zgjedhje të lira e të ndershme, për të pasur një parlament të pastruar nga krimi dhe një qeveri që përfaqëson votën e qytetarëve.

Do futeni në zgjedhjet lokale me këtë hartë dhe me Edi Ramën kryeministër?

Zgjedhjet lokale janë pas 10 muajsh. Ne nisim sot përgatitjet për tu futur dhe për të fituar zgjedhjet lokale, me zgjedhje të lira dhe të ndershme…

Pra nuk ka bojkot…?

… dhe me një qeveri të çliruar nga krimi. Këto janë objektivat tona politikë.

Në të kundërt?

Unë besoj që këto dhjetë muaj do të shihemi prapë apo jo? Fjalën e fundit e do sot se çfarë do ndodhë pas dhjetë muajsh?

A është bojkoti i zgjedhjeve lokale alternativë zoti Basha?

Në tryezën tonë të opsioneve, gjithçka politike është alternativë. Por, në momentin që po më pyesni, Partia Demokratike me aleatët, po përgatiten fuqishëm që të konkurrojnë dhe të fitojnë zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e përgjithshme të mbikëqyrura nga një qeverisje e çliruar nga krimi.