TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Përpara disa muajsh Medreseja, qendra e Tiranës, u zgjua e llahtarisur, nga britmat e një djali të ri dhe të një nëne. Ishte 20 vjecari StivenToshkezi i cili rreth mesnate, po kthehej në shtëpi pas një pune të lodhshme. Atij iu mor jeta e re me hanxhar, nga dy 18 vjeçar.
Politikanë tallen me kokat e apendicitit, ndërkohë koka e një 20 vjeçari vritet me hanxhar. Politika duhet të heshtë, të mbajë zi, sepse nuk është vrarë një i ri, por është vrarë rinia. Kjo rini nuk diskuton sot mirëqenien por mbijetesën, të shpëtojë kokën. Politika të heshtë dhe të mbajë zi, për vrasjet mesjetare, që po ndodhin ditë pas dite. Politika duhet të heshtë qeshjet dhe batutat folklorike, banale dhe mediokre, pas britma nënash dhe djemsh 20 vjeçarë.
Arkivoli ishte i bardhë, sepse një engjëll po largohej nga kjo botë, faji i vetëm i të cilit ishte që dashuronte. Djajtë e politikës së hashashizimit, iu vërsulën për të marrë gjak. Djalli me koshiencë, përdori drogën për të vrarë. Sipas të dhënave të policisë, dy djemtë që kryen vrasjen, nuk kishin lidhje me konfliktin. Shoku i vrasësit, Arbër Murtaj, ngacmonte të dashurën e Stiven Toshkezi. E kanë kërkuar disa herë Toshkezin që të takoheshin, por ky i fundit nuk kishte pranuar për shkak të tensioneve të krijuara. Filluesi dhe nxitësi i konfliktit Arbër Murataj, ishte me baba me rekorde krininale.
Nxitësi Arbër Murataj mbante në banesë sasi hashashi. Lë të kuptohet që vrasësin e ka droguar dhe më pas nxitur për vrasje. Kjo metodologji e nxitësit është e frikshme, në një shoqëri që po hashashizohet dhe që tenton legalizimin e hashashit. Të drogosh dikë dhe më pas ta nxisësh për të vrarë. Vrasësi me hanxhar në dorë, i cili pret koka të pafajshëm, studion në një vend jashtëzakonisht të qytetëruar si Hollanda. Hollanda është një vend që ka legalizuar hashashin. Probabiliteti që ky djalë që ka vrarë, të ketë qenë ndër efektet e drogës, është shumë i lartë. Mos ka ardhur koha që jo vetëm vendet që duan të legalizojnë por edhe vendet që kanë legalizuar të rishikojnë ligjin për liberalizimin e hashashit, pasi pasojat janë fatale?
Në dukje është një sherr midis të rinjsh për xhelozi, por në fakt ata janë viktima të krimit, hashashit, dhe drogës. Kjo tip vrasje tregon një mendje të corientuar. Ata janë tepër të rinj që të kenë një urrejtje kaq të thellë për vrasje të këtij kalibri. Autori i krimit, vjen nga një familje që kanë sakrifikuar ta nisin djalin për studime. Bien në sy dy elemente. Nxitja nga ambjente kriminale dhe prezenca e hashashit. Krimi & droga.
Hashashi mendohet rëndom që nuk ka efekte negative, por në fakt studimet tregojnë, që kur merret në doza të mëdha krijon efekte halucinogjene. Hashashi, me pesë ose shtatë fletë përdoret për efektet psikoaktive, që do të thotë ndryshim i sjelljes dhe të menduarit. Pikërisht fakti që dy të rinjtë kryejnë një krim dhe më pas vetdorëzohen në polici tregon ndryshim sjellje dhe mendimi, pra prezencën e substancave narkotike, ku ëndrra dhe zhgjëndrra, realja dhe irealja, imazhet dhe mirazhet, gënjeshtra dhe e vërteta janë një e vetme.
Autori i krimit në vetvete është edhe viktimë e shoqërisë shqiptare të kriminalizuar, të droguar, të hashashizuar, që po trullos, duke e drejtuar mendjen rinore deri në halucionacione vrastare. Krimet gjithmonë janë të rënda, por në rastin konkret tregon një shoqëri që po ecën mbrapsht, drejt një shoqërie mesjetare. Është një shoqëri në regres.
Aktualisht në shkollat, sidomos të mesme, po bëhet normalitet droga dhe hashashi, që po rrit dhunën brenda të rinjve. Këtë rritje të dhunës dhe të krimit ne po e hasim çdo ditë. Nga mësues të shkollave të mesme, mësoj që droga dhe hashashi është një problem shumë serioz i shkollës, i cili po rrit dhunën midis të rinjve. Por ky fenomen çuditërisht nuk përmendet as nga policia, as nga shkolla, as nga media. Ka një terr informativ. Policia ngre supet duke dhënë sinjalin që nuk kemi çfarë të bëjmë. Rendi dhe policia janë me duar të lidhura. Nuk më rezulton e rastësishme. Një 18 vjeçar, që nuk e ka kaluar ende adoleshencën, njihet për mbingarkesë hormonle psikologjike, emocionale, iluzionesh. Kur ky adoleshent, shton edhe drogën, hashashin, shkaktohet një bum iluzionesh dhe halucinacionesh. Adoleshentët janë të rrezikuar nga krimi dhe shndërrohen të rrezikshëm kur përdoren nga krimi. Ky rast tregon këtë logjikë ngjarjeje, dy të rinj të përdorur nga një ambient kriminal, që mjet indirekt përdor drogën. Jurisprudenca njeh krimin aty për aty në gjaknxehtësi, në vetëmbrojtje, aksidentale. Por të presësh viktimën me hanxhar në dorë, tregon ose një mëndje të sëmurë të çorientuar, ose tip krimineli. Vrasësi pas dy ditësh është vetdorëzuar në polici, fakt që tregon që nuk është element kriminal.
Studentë në Hollandë, shprehen për tipologjinë dhe fizionominë e autorit të krimit ”Ai nuk ka lidhje me krimin dhe me vrasjen”. Pas hulumtimeve të mia, Stiven Toshkezin, viktimën, e tregojnë një djalë të mirë, larg ambjenteve kriminale. Si ka mundësi që të arrihet në këtë krim kaq makabër? Thashethemnaja menjëherë pas krimit ishte “Ata ishin të droguar”. Jemi dëshmitarë të krimit të përditshëm, të ekzekutimeve, të bandave, të hakmarrjeve, gjakmarrjeve. Por është shtuar edhe krimi nga hashashizimi dhe droga. Ai fitimi i paligjshëm shtetëror sot po vret.
Toshkezi është kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar. Ky nivel hashashizimi dhe krimi fatkeqëisht po shton kronikat e zeza. Çdo humor i pokitikanbërësve shndërrohet në humor të zi. Mbjellja e hashashit po mbjell mort. Për këtë arsye duhet studiuar shumë mirë nga ata që diskutojnë legalizimin e hashashit. Çfarë efektesh jep në tru halucinacionet, imazhet e rreme, iluzionet, që mund të shkaktojnë deri vrasje. Në këtë krim kemi një nxitës real shoku i vrasësit, Arbër Murataj, dhe nxitësin, substancat narkotike, që deformojnë mendimin dhe imazhet.
Gruaja që hodhi bombën, duke vrarë fëmijë e të rritur të pafajshëm, në sheshin Taksim në Stamboll, u gjet e droguar. Ata që hidhen në erë sëbashku me eksplozivin janë të droguar. Në të kundërt njeriu as nuk merr jetë as nuk jep jetë. Njeriu në themel të qenies së tij, sipas psikiatërve, ka tre instinkte bazike, atë të jetës, të vdekjes dhe të seksit, instinkte primordiale, të trashëguara që nga lindja e botës. Këto instinkte bazike e mbrojnë njeriun nga vrasjet dhe vetvrasjet. Këto instinkte bazike janë dhuratë e natyrës që na mbron gjënë më të çmuar, jetën. Këto instinkte njeriu i humbet ose në cmenduri, (raste psikopatie apo psikozash) ose ndën efektet e drogës dhe alkoolit, duke humbur jetën e tij ose të tjetrit.
Politika të mos merret me prerje kokash kundërshtarësh, por të shpëtojë kokat e të rinjve të pafajshëm. Krimi dhe droga po bëhet githmonë e më pak selektive, duke vrarë të pafajshëm. Pse nuk i trajton askush këto probleme? Sepse ata që vendosin se çfarë politikash do të ndiqen në Shqipëri, ata që vendosin kush është pozita dhe opozita, ata që vendosin sa ndërtesa dhe sa gjyqtarë do të ketë, ata që bëjnë mediat dhe edicionet e lajmeve, cili lajm do të jepet, si, sa, kur do jepet, ata janë pro legalizimit të hashashit. Prandaj të gjitha nivelet e shoqërisë të gjitha strukturat, kryeministrore, ministrore, shkollore, policore, të medias heshtin. Janë pa zë. Prandaj edhe rasti Toshkezi, u kalua me disa fraza cung nga policia.
Krimi ka poseduar shoqërinë shqiptare. Kronikanët e kronikës së zezë, janë ata që kanë më së shumtin punë. Edicionet e lajmeve kryesisht fillojnë me lajmet e krimit dhe tmerrit. Rendi është në ditë zie dhe në ditët e saj më të zeza.
Koka e përgjysmuar e Toshkezit, sot na ka përgjysmuar kohën demokratike, na ka përgjysmuar rrugëtimin, duke na kthyer orën mbrapsht në mesjetë. Aktualisht në Shqipëri të rinjtë ndër efektin e drogës të vërtetën e shndërrojn në iluzione vrastare. Politika në të kundërt, të rremen dhe gënjeshtrën e shndërrojnë në reale dhe të vërtetë. Toshkezi është viktimë e kësaj shoqërie shqiptare.
Një shtet pa rend, pa ekonomi, pa popullsi, po humbet mendjen dhe themelet si shtet.