TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Erion Dasho
Lajmi se dy kompani serioze, Merck dhe Pfizer janë në prag të marrjes së miratimit për dy trajtime efektive kundër COVID-it është lajmi më i mirë në këto dy vjet pandemi.
Sidomos trajtimi që ka zbuluar kompania Pfizer ka një shkallë suksesi gati 90% dhe bazohet në një kategori të njohur medikamentesh, të cilës i njihen shumë mirë parametrat e efektivitetit, sigurisë, efektet anësore, etj.
Një medikament në formë tablete që e ul rrezikun e humbjes së jetës në nivelet e një epidemie të zakonshme gripi, praktikisht e kthen COVID-in në një problem sezonal, të ngjashëm me gjithë virozat e tjera.
A do të thotë se dalja e këtyre medikamenteve e bën vaksinën të panevojshme?
Së pari, duhet risjellë në vëmendje se vaksinat janë elementë parandalimi dhe parandalimi është gjithmonë i preferuar në raport me trajtimin. Por, në sajë të këtij trajtimi presioni personal dhe shoqëror për t'u vaksinuar do të jetë shumë më i ulët.
Së dyti, këto medikamente nuk do të vijnë në raftet e farmacive sot. Sikundër ndodhi me vaksinën, do të kalojnë disa muaj para se ato të disponohen në farmaci.
Përsëri në mënyrë të ngjashme me vaksinën, vendet e pasura dhe të fuqishme kanë prenotuar sasitë e para. Vetëm SHBA-të kanë nënshkruar tashmë kontrata disa miliardë dollarëshe me Pfizer për kurën që besohet se do të kushtojë 700 dollarë për pacient.
***
Sezoni i virozave të këtij viti do të jetë me sa duket i fundit sezon virozash që do të ketë nevojë për një fushatë vaksinimi masiv kundër COVID-it.
Anti-Vax-ët, no-Vax-ët dhe konspiracionistët të mos kenë më hallin e dozës së katërt, të pestë apo të gjashtë. Pasi të kalojë ky sezon, vetëm personave në risk do t'u rekomandohet vaksina (sikundër ndodh edhe për vaksinën e gripit).
Por në këtë moment, gabimi më i madh do të ishte rënia e fluksit të vaksinimit me argumentin se tashmë ekzistojnë mjekime kundër COVID-it.
Kjo sigurisht do të pasohej me disa qindra vdekje të parandalueshme gjatë sezonit të virozave që sapo ka nisur...