BLOG, 27 Korrik 2025, 17:01

Një shishe ujë, një grusht, një dhimbje për të gjithë ne për Aronin, nxënësin tim

Një shishe ujë, një grusht, një dhimbje për të

Unë jam nënë. Dhe sot më dhemb zemra kur shoh pamjet e një djali të ri që dhunohet brutalisht, në mes të një lokali, në qytetin tim. Jo një djalë i panjohur…

Por një djalë që e kam njohur nga afër.

Aroni ka qenë nxënësi im këtë vit, në lëndën e filozofisë.

I sjellshëm. I edukuar. Me etikë dhe vlera që rrallë i gjen sot tek të rinjtë.

I heshtur, por i qartë.

I përulur, por i vendosur.

Punon kamarier.

Si shumë gjimnazistë në Shqipëri.

Jo sepse e detyron familja. Jo sepse nuk kanë mundësi.

Por sepse puna është shkollë e jetës.

Sepse ka të rinj që duan të rriten me dinjitet, që nuk i tremben lodhjes, që zgjedhin ndershmërinë, jo rrugën e shkurtër.

Edhe djali im punon.

Dhe kjo më bën ta shoh Aronin me një sy edhe më të ndjeshëm.

E shoh shpesh në mëngjes, tek “Regina”, ku më shërben me qetësi dhe përkushtim.

Dhe çdo herë, më rritet shpresa se ky vend nuk është i humbur.

Sepse ka ende të rinj si Aroni.

 Por çfarë bëmë ne për këtë djalë?

Sepse solli një shishe ujë më shumë në një tavolinë, u rrah me grusht dhe egërsi, në sy të klientëve.

Në zemër të Vlorës.

Në kulmin e sezonit turistik.

Në një vend që pret të tregojë mikpritje, por prodhon frikë dhe trishtim.

 Si është e mundur? Kanë ndjesi njerëzore?

A kanë fëmijë që punojnë, që lodhen, që ndonjëherë gabojnë?

 Edhe nëse një kamarier gabon në porosi, grushti nuk është zgjidhje.

 Kërcënimi nuk është mjet “korrigjimi”.

 Dhuna nuk është asnjëherë gjuhë që shpjegon.

 Dhuna është forcë që shkatërron.

Nuk po flas vetëm si nënë.

Po flas si qytetare.

Si njeri që sheh përditë sa shumë të rinj përpiqen të ecin ndershmërisht, në një vend që shpesh nuk i mbron.

Ky shkrim nuk është vetëm një thirrje për drejtësi.

 Është një apel për ndërgjegje.

Sepse Aroni nuk është “thjesht një kamarier”.

Ai është në punë siç je edhe ti.

Ai është fëmija i dikujt.

Nxënësi i një mësueseje.

Qytetari i këtij vendi.

Nuk ka asnjë arsye, asnjë justifikim, asnjë kontekst që e legjitimon dhunën.

As kur vjen nga “të fortët”.

As nga ata me uniformë.

As nga ata që kujtojnë se shërbimi të bën më i vogël.

Apeli im shkon për të gjithë ne.

Të mos e normalizojmë këtë brutalitet.

As sot. As nesër.

 Sepse sot ishte Aroni.

Nesër mund të jetë djali yt.

Sot ishte një shishe ujë.

Nesër mund të jetë një fjalë e thënë gabim.

Një keqkuptim. Një hezitim.

Dhe nëse për çdo “gabim” përgjigja është dhunë, atëherë ne nuk jemi më shoqëri.

 Jemi xhungël.

Sepse ai që të shërben, nuk është më pak se ty.

Ai është një qytetar.

Dhe ne ia kemi borxh mbrojtjen.

*Mësuese në Vlorë