BLOG, 10 Dhjetor 2021, 18:53

Koha për rithemelim, koha për Kuvendin e 11 dhjetorit!

Koha për rithemelim, koha për Kuvendin e 11 dhjetorit!

Në këto tetë vite opozitë, jam përballur me dhjetëra protesta, me disa fushata, me hartime programesh e dhjetëra raportesh, me miq vendas e të huaj, jam angazhuar në mes të Tiranës, në degën 5, por dhe në Bruksel apo Washington, jam investuar me mish e shpirt në kauzën tonë të përbashkët për një Shqipëri si e gjithë Europa. 

Kam punuar me të rinj si Marashi por dhe me Ivin, me Belindin, por dhe me Ervinin, me Besartin apo dhe me Mateon, sigurisht kam punuar ngushtësisht dhe me kryetarin Basha ashtu siç kam punuar dhe me kryetarin Babasi. Kam patur nderin e privilegjin të mbështetem e të shkëmbej me qindra demokratë të sakrificës, idealistë, familjarë të ndershëm e të punës, shqiptarë të mirë të cilët kërkojnë një jetë më të mirë e të virtytshme, këtu, në atdheun e tyre.

Disa janë arrestuar, disa kanë ndërruar krah, disa janë promovuar dhe disa janë zhdukur duke zgjedhur emigrimin përballë zgjedhjes së vështirë të ballafaqimit. Flas si një dëshmitar në vetën e parë të asaj çfarë kemi kaluar, të gjithë së bashku. 

Ka patur me dhjetëra momente krenarie, ashtu siç ka patur po kaq zhgënjime e dështime. Por rezultati kryesor mbetet një. Sot pas tetë vitesh, ne ju kemi zhgënjyer. Kemi humbur për plot tetë vite rresht. Nëse masakër zgjedhore ka patur, përgjegjës jemi të gjithë ne. Duke filluar nga unë e çdo demokrat që ka patur mundësinë të përballej jo vetëm në shesh, por dhe në media e këshillat politikë. 

Në këtë sens, përgjegjësia kryesore bie mbi Lulzim Bashën. Jo vetëm mbi personin, por mbi kulturën e drejtimit që ai nuk arriti dot të sillte në PD. Strategji elektorale të vobekta, emërime të dyshimta, lista në minutën e fundit, mungesë meritokracie, paqartësi me ndërkombëtarët, lidership i dyzuar, mos respektim të kontributeve lokale në degë etj. E panevojshme të zgjatem më tej. Sot PD nuk është forca politike që kërkojmë, sot PD nuk është forca që na çon drejt fitores. 

Gjithsecili duhet të mbajë përgjegjësi. PD sot është e përçarë. Dhe për të dalur nga kriza zgjidhja fillon nga nesër. Rithemelim të forcës politike dhe të lidershipit të saj drejtues.

Bashkë, si demokratë e jo autokratë, si një forcë perëndimore e jo lindore, euro-atlantike në bindje por shqiptare në zemër, nesër më dt.11 çdo demokrat e çdo shqiptar që vendos Shqipërinë para partisë, duhet të marrë pjesë në këtë kuvend historik që kërkon riformatimin e një force që kërkon të shohë drejt sukseseve të ardhshme, dhe jo nga dështimet e shkuara. 

Nëser, në orën 10.00, në Arenën kombëtare, të shkruajmë bashkërisht një histori të re demokratizimi të dytë për mbarë vendin!