BLOG, 1 Janar 2022, 12:33

Gjyqi ndaj komunistit disident: I pandehuri Xhavit Qesja, e paraqet periudhën e Stalinit, si kohë ku sundonte terrori dhe dhuna

Gjyqi ndaj komunistit disident: I pandehuri Xhavit Qesja, e paraqet

Publikohet një dosje arkivore voluminoze e nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij.

Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Akt-akuza ndaj të pandehurit Xhavit Qesja e formuluar nga Prokurori i Përgjithshëm, Shuaip Panariti, dërguar për gjykim Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë më 23 tetor 1967

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË                                                      Tiranë, më 23 .X.1967

                                                             Proçes-verbal

Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i formuar nën kryesinë e Hilmi Telegrafi, Anëtar i Gjykatës së Lartë, me ndihmën e Gjyqtarëve:

Tasi Mitrushi – Ndihmës Gjyqtar Gjykatës së Lartë

Mit’hat Ostrova – Ndihmës Gjyqtar Gjykatës së Lartë

T’asistuar nga K/sekretari, Ramiz Çitozi, me pjesëmarrjen e prokurorit Enver Hiçka, sot me datë 23/X/1967, në seancë të mbyllur gjyqësore, mori në shqyrtim çështjen penale Nr.194, që i përket të pandehurit:

Xhevit Qesja, i biri Hajdarit dhe i Sabrijes, i datëlindjes 1922, lindur në qytetin e Krujës dhe banues në Zvërnec të rrethit të Vlorë, me gjendje shoqërore i pasur, me gjendje shoqërore nënpunës, me arsim të lartë të pa mbaruar i divorcuar me 2 fëmijë i pa dënuar më parë i përjashtuar nga partia, i arrestuar me 12/9/1967.

Ka kryer krimin e agjitacionit e të propagandës, parashikuar nga neni 72/I i K.P.

Kryetari i Këshillit gjyqësor, mbasi deklaron të hapur seancën gjyqësore dhe mbasi tregon përbërjen e trupit gjykues, ku dhe i pandehuri qe dakord me përbërjen e trupit gjykues.

Kryetari lexon akt-akuzën dhe pasi pyetet të pandehurin rreth akuzës, ai nuk e pranojë akt- akuzën, duke thënë se nuk e ndjejë veten fajtor.

Prokurori tha se është e shkruara nga i pandehuri, janë me përmbajtje armiqësore ndaj partisë e pushtetit tonë popullor.

Kryetari i tregon të pandehurit letrat e shkruara prej tij të cilat ndodhen në dosje dhe që i janë drejtuar Byrosë Politike të Komitetit Qendror, duke i kërkuar të pandehurit të përgjigjet nëse letrat janë të tijat?

I pandehuri përgjigjet e thotë se letrat i’a kam dërguar Komitetit Qendror të P.P. Shqipërisë dhe se unë kam punë me Komitetin Qendror, sepse jam komunist.

Kryetari i tha të pandehurit, se ju këtu jeni sjellë për t’u gjykuar si armik, për veprimtarinë tuaj armiqësore si kundër shprehët më lart, e shkruar prej jush dhe të cilat ia keni drejtuar organit qendror të partisë, prandaj përgjigjen rreth këtyre letrave.

Prokurori tha se: i pandehuri është revizionist dhe duhet të përgjigjet. Kryetari i lexon të pandehurit një nga letrat drejtuar zyrës politike në vitin 1966, i pandehuri nuk përgjigjet.

Kryetari i lexon të pandehurit: periudhën e Stalinit e paraqet si periudhë ku sundonte forca, terrori i tij, duke u mbështetur tek revizionistët. Stalini, duke vazhduar Prokurori, tha se ai ka qenë i ashpër ndaj armiqve dhe ndaj nuk mund t’a errësojnë kohën e Stalinit.

Kryetari kërkon nga i pandehuri të përgjigjet mbi vendimet e Kongresit të V-të të Partisë dhe ku ky nuk është dakord.

I pandehuri nuk i përgjigjet pyetjes së Kryetarit, por shtoi i pandehuri, se e thashë. Prokurori tha: Vendimet e Kongresit V-të të Partisë, janë bazë e fuqizimit të vendit tonë, janë bazë e punës së Partisë tonë heroike dhe janë bazë e marksizëm – leninizmit si edhe propozimi i sjellë e hovit revolucionar të mbarë popullit tonë për ndërtimin e socializmit.

Dokumenti me pretencën e prokurorit të çështjes, Enver Hiçka, në gjyqin ndaj të pandehurit, Xhavit Qesja, Tiranë, 23.X.1967

Sot shqyrtuat akuzën që rëndon mbi të pandehurin Xhavit Qesja, i cili ka kryer krime të rënda kundër partisë dhe popullit. Mendimet, pikëpamjet dhe konceptet e të pandehurit, që shprehen në shumë letra drejtuar Komitetit Qendror, janë thellësisht me përmbajtje armiqësore, revizioniste, tradhtare e anti-parti.

Ky proçes, vërteton tezën e drejtë të Partisë tonë se dhe në kushtet e transformimit socialist në ndikimin e presionit të ideologjisë borgjeze, lindin element të rinj armiq.

Fitoret e revolucionit socialist në fushën politike dhe ekonomike, nuk mund të jenë të sigurt dhe të garantuar për deri sa nuk është siguruar fitorja edhe në fushën e ideologjisë. Prandaj lufta për shpartallimin e plotë të ideologjisë borgjeze dhe revizioniste, ka të bëjë me çështjen e ndërtimi ose jo të socializmit.

Partia jonë në mënyrë të qartë ka theksuar se lufta e klasave edhe pas likuidimit të klasave shfrytëzuese, mbetet një nga forcat lëvizëse në shoqëri. Ajo zhvillohet kundër mbeturinave të klasave të rrëzuara, që vazhdojnë të rezistojnë akoma me të gjitha mënyrat e në radhë të parë nëpërmjet ideologjisë së tyre reaksionare. Ajo zhvillohet me ashpërsi të madhe kundër ideologjisë borgjeze e revizioniste, që shfaqet në shumë forma. Ajo zhvillohet edhe kundër presionit të jashtëm të imperializmit.

Edhe brenda në parti pasqyrohet lufta e klasave. Në parti vijnë njerëz nga të gjitha shtresat e popullit dhe sjellin me vete gjithfarë mbeturinash dhe shfaqesh të huaja. Si gjithë punonjësit e tjerë dhe komunistët ndahen me presionin e armikut të klasës, me ideologjinë e tija.

Kështu që edhe nga radhët e partisë dalin njerëz që degjenerojnë, që kalojnë në pozita të huaja anti-parti e anti- socialiste. Një nga këta është dhe i pandehuri, i cili duke qenë i brumosur dhe i ngjeshur me ideologjinë e klasës nga rrjedh, ideologjia borgjeze e revizioniste zuri vend dhe gjeti teren pa vështirësi. Këto fundërrina të predisponuara për shkak të origjinës së tyre, marrin rrugën e degjenerimit dhe futen mandej thellë e më thellë në rrugën e tradhtisë, deri sa përfundojnë këtu në bangën e të akuzuarve.

Armiqtë e popullit e të partisë i japin një rëndësi të madhe degjenerimit të njerëzve në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë njerëzve të partisë. Kjo është një nga rrugët kryesore që ndjekin armiqtë për degjenerimin e partisë në tërësi, për t’i hapur rrugën restaurimit të kapitalizmit.

Është për këto arsye që partia na porosit, të mprehim vigjilencën revolucionare dhe lufta e klasave të zhvillohet në të gjitha drejtimet me forcë e pa asnjë lëkundje, deri në fitoren përfundimtare kundra armiqve në të gjitha fushat.

Revolucioni ynë kultural zhvillohet e thellohet në unitet me revolucioni ideologjik. Deri tani kemi arritur shumë suksese të rëndësishme. Shumë problem të zhvillimit në gjerësi të revolucionit kultural janë vënë në rrugën e zgjidhjes dhe po ecet drejt fitores. Ajo që dallon marksistët nga revizionistët, vija që ndan njërin nga tjetri është pranimi ose mos pranimi i luftës së klasave.

Çdo largim nga lufta e klasave është me pasoja të rënda për fatin e socializmit. Tezat e revizionistëve se pas ndërtimit të bazës ekonomike të socializmit shuhet lufta e klasës dhe si pasojë shteti i revizionistëve në B.S. nuk është shndërruar aspak në një “shtet të gjithë popullit”, por ne diktaturën e kësaj shtrese të privilegjuar.

Çështja e diktaturës së proletariatit zë vendin qendror në teorinë marksiste-leniniste. Kjo ka një rëndësi të posaçme në epokën e sotme të revolucioneve proletare, të shembjes kapitalizmit e imperializmit dhe të fitores së socializmit në botë.

Revizionistët modern parimet mbi këto problem i quajnë të panevojshme dhe të vjetruara. Ata mohojnë domosdoshmërinë e përmbytjes së shtetit borgjez dhe të vendosjes së diktaturës proletariatit në vendet kapitaliste.

Ndërsa përsa i përket vendeve socialiste thelbi i çështjes për këtë problem qëndron në likuidimin e diktaturës proletariatit, sepse në këtë mënyrë pushtetit i klasës punëtore me lehtësi shndërrohet në një pushtet të borgjezisë, ashtu siç po ndodh në fakt në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e tjera ku janë në fuqi revizionistët.

Këtij qëllimi ka dashur t’ia rrijë edhe i pandehur kur me letrat e tij kërkon ti jepej e drejta e fjalës dhe e shtypit. Ai ka synuar që me pikëpamjet e tij revizioniste e armiqësore të mbjellë kufizon në masat e popullit dhe të partisë dhe si pasojë të bënte të mundur hapjen e dyerve ideologjisë borgjeze dhe degjenerimit të shtetit tonë të demokracisë popullore.

Heqja dore nga ana e revizionistëve nga ‘Diktatura e proletariatit’, nga kuptimi i saj marksist, demaskon hipokrizinë e tyre, falsitetin për besnikërinë ndaj marksizëm- leninizmit, demaskon tradhtinë e tyre të plotë ndaj çështjes së revolucionit e socializmit.

Partia e jonë e ka ruajtur kurdoherë të pastër vijën e sajë marksiste-leniniste. Ajo e ka mbajtur atë në luftë të ashpër me të gjithë armiqtë dhe deviatorët e ndryshëm, që janë përpjekur të largojnë nga rruga e saj e drejtë. Partinë e ka karakterizuar gjithmonë ashpërsia dhe pa pajtueshmëria me armiqtë e popullit e të socializmit, dhe dashuria e besnikëria e pakufishme ndaj marksizëm – leninizmit.

Partia e Punës së Shqipërisë luftën e hapur dhe parimore kundër revizionizmit modern, që ka si qendër udhëheqjen revizioniste sovjetike, e quan një nga detyrat e saj kryesore. Në këtë luftë të ashpër dhe dhëmb për dhëmb me këta tradhëtarë fitorja ka qenë gjithmonë me ne./Memorie.al