TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Biznesi i vogël ka ulur qepenat paraditen e sotme, në shenjë proteste për përfshirjen në skemën e TVSH-së. Tregtarët kanë ulur qepenat prej orës 11:00 deri në orën 12:00. Ata shprehen se taksat janë rritur dhe janë të papërballueshme.
Kësaj proteste u janë bashkuar edhe deputetë të opozitës.
Kjo protestë u zhvillua në disa qytete të Shqipërisë, në Tiranë, Korçë, Durrës, Shkodër, Berat, Fier. Disa prej tregtarëve janë shprehur për median, se kanë frikë t'u bashkohen protestës, megjithatë ata kundërshtojnë vendosjen e pragut prej 20 milionë lekë të vjetra, për përfshirjen në skemën e TVSH-së.
Tregtarët shprehen se nuk i përballojnë dot taksat dhe nëse nuk gjendet një zgjidhje ata do hyjnë në grevë urie. Një tregtare thotë se ata nuk kanë bukë të hanë dhe t’u çojnë fëmijëve, ndërsa pushtetarët mbushin xhepat me taksat e tyre.
“Unë e blej mallin 10 dhe e shes 12. Atë që unë e fitoj ai thotë unë e dua. Ai thotë është rritur ekonomia, çfarë ekonomie është rritur? Ekonomia është rritur për pushtetarët se mbushin xhepat me taksat tona. Është rritur, uji, energjia, xhepat tona janë bosh. Nuk kemi çfarë t’u çojmë kalamajve në shtëpi”- thotë një tregtare
Për këtë protestë ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili e ka quajtur një tallje të madhe të politikës me njerëzit.
"Protesta e uljes së qepenave në tregjet bashkiake tallje e madhe me njerëzit nga politikanët pa atdhe! Sepse tregjet JANE JASHTE SKEMES së TVSH! Ne bëmë ZERO taksën e Biznesit të Vogël dhe futja në TVSH e të vegjëlve nuk rrit aspak barrën mbi ta po siguron kontrollin e të mëdhenjve", shkruan kryeministri në Facebook.