BALLKAN, 10 Korrik 2025, 09:57

VIDEO/ Tragjedia 'Floyd' në SHBA u përsërit, Agoni ndërroi jetë nën këmbët e policëve! Frika për hakmarrje dhe thirrjet për drejtësi

VIDEO/ Tragjedia 'Floyd' në SHBA u përsërit, Agoni

27-vjeçari Agon Zejnullahu humbi jetën nën duart dhe këmbët e pesë policëve në Lipjan të Kosovës. Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa vëllai i tij Albani ka hedhur akuza të rënda ndaj pesë efektivëve duke i akuzuar për vrasje.

Pamjet e publikuara në rrjete sociale janë të tmerrshme teksa duken efektivët e policisë që ushtrojnë dhunë dhe mbajnë Agonin të shtrirë në tokë për t'i vënë prangat. Ky i fundit bën rezistencë, ndërsa policia nga ana tjetër nuk e kursen forcën ndaj të riut.

Të gjithë janë të tronditur, ndërsa kjo ngjarje është e ngjashme me atë të vrasjes së afro-amerikanit George Floyd në Minneapolis më 25 Maj 2020 në SHBA.

Floyd humbi jetën nën këmbët e efektivit të policisë i cili përdori forcë të pajustifikueshme ndaj tij duke i marrë frymën. Protestat shpërthyen asokohe në gjithë Amerikën nën sloganin “blacklivematters”.

Por le të kthehemi tek rasti në Kosovë. Autoritetet vijojnë hetimet për ngjarjen ndërsa u arrestuan pesë zyrtarët policorë që dyshohen për kryerje të veprës penale "vrasje nga pakujdesia". Por, frika është ajo e hakmarrjes për vrasjen e 27-vjeçarit. Ndërsa thirrjet për drejtësi nuk ndalen.